Gjykata e Apelit nuk e ekstradoi në Hagë, Goxhaj pas lirimit: Tentuan të na trembnin! Kemi luftuar drejt

10/10/2023 20:02

Gjykata e Apelit refuzoi ekstradimin e Dritan Goxhajt drejt Kosovës, që kërkohej të ishte stacioni prej nga ku më pas do t’i dorëzohej Hagës.

Gjyqtari Genti Shala urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm dhe shfuqizimin e masës së arrestit me burg, vendosur më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë.

“Lirinë nuk e kishim humbur asnjëherë, nuk e kisha humbur lirinë as unë as Ushtria Çlirimtare e Kosovës e Kosovës që dhe as ata të tjerët që janë në Hagë. Askush nuk e ka humbur lirinë”, tha Goxhaj.

I arrestuar në muajin korrik në Shqipëri, Goxhaj njihet si një nga njerëzit që ju bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë dhe si shoqërues gjatë asaj kohe i trupave amerikane.

“Ishte një tentativë për të na trembur për të na frikësuar, për ta na hequr nga rruga jonë. Për të na mbushur mendjen se nuk ishim në një rrugë të drejtë”, u shpreh Dritan Goxhaj.

Por sipas një aktakuze të përcjellë nga dhoma e specializuar e Hagës, Goxhaj dyshohej se kishte tentuar të frikësojë dëshmitarët e mbrojtur, që ishin përmendur prej tij në një shkrim të janarit 2023, publikuar në llogarinë personale të Facebook. Kërkuesit  këmbëngulën se në shkrimin e Goxhajt thuhej se në çdo kohë mund të zbuloheshin edhe të dhënat personale të dëshmitarëve të tjerë të supozuar. Një qëndrim i tillë u kundërshtua gjatë disa seancave nga avokatët mbrojtës që pretenduan se çështja ishte politike dhe veç kësaj Shqipëria nuk kishte marrëveshje ekstradimi me Hollandën.

“Sot arritëm t’ju tregojmë sërish që jemi në rrugë të drejtë dhe kemi luftuar drejt. Ju faleminderit të gjithëve, dhe të gjitha medias për mbështetjen deri më sot”, shtoi ai.

Top Channel