Trump përpiqet të mbrojë pasuritë e paluajtshme në gjyqin civil për mashtrime

04/10/2023 16:02

Ish-presidenti Donald Trump po përballet në gjykatë me një padi civile prej 250 milionë dollarësh, sipas së cilës ai ka dhënë informacione të rreme mbi vlerën e perandorisë së tij të pasurive të paluajtshme.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, ngriti padi kundër zotit Trump, dy djemve të tij të rritur dhe kompanisë së tij.

Ish-presidenti Donald Trump është kthyer në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut. Këtë radhë ai po përpiqet që pasuritë e paluajtshme të mos bien në zotërim të shtetit të Nju Jorkut.

Zoti Trump akuzohet se ka ekzagjeruar në miliarda dollarë vlerën e pronave të tij për të siguruar kushte dhe marrëveshje më të favorshme nga bankat, investitorët dhe partnerët e biznesit. Akuza parashikon një gjobë prej të paktën 250 milionë dollarësh.

“Donald Trump dhe të pandehurit e tjerë kanë kryer mashtrime të vazhdueshme dhe të përsëritura. Mesazhi im është i thjeshtë. Pavarësisht se sa i fuqishëm je, sado para që mendon se mund të kesh, askush nuk është mbi ligjin”, tha Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James.

Padia përqendrohet tek disa prona, për të cilat ka dyshime se janë të mbivlerësuara.

Në një rast, zoti Trump tha se grataçiela e tij në Wall Street kishte një vlerë prej shumë se 735 milionë dollarësh, ndërsa vlerësimi zyrtar ishte 550 milionë dollarë, një diferencë prej gati 200 milionë dollarësh.

Në një rast tjetër, zoti Trump tha se vila e tij në Mar-a-Lago kishte një vlerë prej 739 milionë dollarësh, një shifër që Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut thotë se është 10 herë më e lartë sesa një përllogaritje e arsyeshme e vlerës së saj.

Zoti Trump i mohon me forcë këto akuza.

“Ky është vazhdimi i gjuetisë më të madhe të shtrigave të të gjitha kohërave. Bankat i morën paratë e tyre. Kurrë nuk ka pasur dështim në pagesën e huave. Nuk ka pasur asnjë problem. Gjithçka ishte në rregull. Nuk ka patur krim. Krimi është kundër meje, sepse kemi një prokurore të korruptuar”, tha zoti Trump në dalje të gjykatës.

Zëri i Amerikës bisedoi me ish-prokurorin federal, Neama Rahmani.

“Prokurorët do ta kundërshtojnë zotin Trump në dy mënyra. Ata do të përpiqen të parashtrojnë se çfarë dite ai dhe çfarë synonte. Mënyra e dytë është dëshmia e ekspertëve se vlera e pronave nuk ishte aspak pranë asaj që pretendonte zoti Trump, avokatët dhe llogaritarët e tij.”

Zoti Rahmani thotë se raste si ky janë të rralla.

“Si ish-prokuror federal, këto lloj mbivlerësimesh nuk janë të zakonshme. Disa mund të shpëtojnë nëse nuk ka të dhëna ose ankesa pranë organeve të zbatimit të ligjit. Por nëse raportohet, ky lloj mashtrimi ndaj një banke përbën krim në nivel shtetëror dhe federal”.

Ndërsa vazhdojnë dëshmitë kundër tij, zoti Trump thotë se çështja civile dhe katër aktakuza të veçanta penale me të cilat përballet, po e ndihmojnë atë politikisht.

“Mund t’ju them se votuesit e kuptojnë situatën, sepse sa herë që ngrenë akuza të rreme ndaj meje, mbështetja ndaj meje shtohet dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë”.

Ester Fuchs, profesore e shkencave politike në Universitetin Kolumbia të Nju Jorkut, e kundërshton vlerësimin e zotit Trump.
“Vlerësimi i publikut ndaj tij, duket se është ndikuar nga disa prej aktakuzave. Aktualisht rreth 59% e votuesve kanë vlerësim negativ për të. Këto aktakuza përbëjnë shqetësim për Trump-in edhe nëse ai mendon se po i shtojnë mbështetjen”.

Ndërsa ish-presidenti lufton në gjykatë për të mbrojtur pasuritë e paluajtshme, është ende e paqartë se sa do të ndikojnë problemet e tij ligjore në përpjekjet për të fituar Shtëpinë e Bardhë./ voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA