Miliarderët në listën e Forbes zotërojnë pasuri të paluajtshme me vlerë qindra miliona dollarë, një ndër këto pasuri edhe rezidenca që ata zgjedhin për jetën e tyre të përditshme.
Nju Jorku, pavarësisht reputacionit të tij si një parajsë miliarderësh, nuk është rezidenca kryesore për asnjë nga njerëzit më të pasur në botë. Në listën e Forbes, mbajtësi i vendit të parë ka një shtëpi në zemër të SHBA-së, të tjerët kanë rezidenca ultraluksoze në zonat bregdetare dhe shumë nga njerëzit më të pasur në planet kanë dhjetëra prona, në të cilën ata shpenzojnë kohën e tyre të çmuar.
Elon Musk
Me një pasuri neto prej 252 miliardë dollarësh, njeriu më i pasur në botë për vitin 2023, CEO i Tesla dhe Space X pretendon se jeton në një studio. Në vitin 2020, Musk ka përmendur në një postim në Twitter se ai “nuk do të zotërojë më një shtëpi” dhe se ai planifikoi të shesë pothuajse të gjitha pronat e tij. Javë më vonë, pesë nga shtëpitë e tij ishin në shitje, ku e fundit doli në treg për 30 milionë dollarë. Rezidenca e tij e preferuar thuhet se është ajo në Bel-Air, Los Angeles.
Në vitin 2021, sipas Business Insider, rezidenca kryesore e manjatit ishte një shtëpi e quajtur “Casita” në Boca Chica, Teksas, të cilën ai e dha me qira përmes kompanisë së tij hapësinore SpaceX. Ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht, megjithëse kompania e banesave Boxabl, në një reklamë të vitit 2022, la të kuptohej se në një nga shtëpitë e saj ishte vendosur “një qiramarrës shumë i rëndësishëm”.
Shtëpia, vetëm 38 m2. dhe me vlerë 50,000 dollarë, është e krijuar si një studio tipike, me një kuzhinë të pajisur, banjo dhe një zonë që shërben si dhomë ndenje dhe dhomë gjumi.
Bernard Arnault
Manjati francez 74-vjeçar, president dhe CEO i Louis Vuitton Moët Hennessy, jeton në një rezidencë në lagjen e 8-të të Parisit, me vlerë 200 milionë dollarësh, e cila shtrihet në 12 hektarë dhe përfshin 12 dhoma gjumi, një liqen privat, fushë tenisi dhe parkim nëntokë. Arnault zotëron gjithashtu ishullin Indigo, një “parajsë” prej 135 hektarësh në Bahamas, një shtëpi në Courchevel, Francë, një rezidencë buzë detit në St. Tropez. Ndër të tjera ai ka prona luksoze në Alpet Franceze, Beverly Hills dhe Hollywood Hills.
Arnault së fundmi shiti avionin e tij privat pasi përdoruesit e X filluan të gjurmonin vendndodhjen e tij. “Në të vërtetë, grupi kishte një aeroplan të cilin ne duhej ta shisnim. Kështu që tani askush nuk mund ta dijë se ku po shkoj”, tha Arnault në një intervistë me një radio stacion në pronësi të LVMH.
Njeriu i dytë më i pasur në botë, me një pasuri prej 187 miliardë dollarësh, pak ditë më parë ishte nën hetim nga autoritetet e vendit të tij, për pastrim parash nëpërmjet blerjes së pasurive të paluajtshme të rusit Nikolai Sarkisov.
Jeff Bezos
Portofoli i pasurive të paluajtshme të themeluesit të Amazon është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Bezos, me një pasuri aktuale prej 150 miliardë dollarësh, pagoi 80 milionë dollarë në vitin 2019 për tre apartamente luksoze në New York City me pamje nga Madison Square Park, dhe më vonë shtoi dy rezidenca të tjera në të njëjtën ndërtesë. Në vitin 2020, ai bleu pasurinë ikonë të Jack Warner në Beverly Hills për 165 milionë dollarë. Një vit më pas, ai shtoi një kompleks prej 14 hektarësh në Hawaii në portofolin e tij për rreth 78 milionë dollarë.
Blerja e tij e fundit është një pronë 68 milionë dollarësh buzë plazhit në ishullin Indian Creek të Majamit – i njohur si Bunker i Miliarderëve – një ishull ekskluziv me një numër të kufizuar shtëpish dhe fqinjësh me Ivanka Trump, Tom Brady dhe më shumë.
Rezidenca e tij kryesore në dekadat e fundit ka qenë në periferi të Medinës, Seattle (ku edhe Bill Gates ka një rezidencë). Është një pallat prej 2500 m2. me gjashtë dhoma gjumi dhe nëntë banja të cilat i bleu në vitin 1998 për 60 milionë dollarë.
Larry Ellison
Bashkëthemeluesi i Oracle, i cili aktualisht është personi i katërt më i pasur në botë, banon në Hawaii. Megjithëse ai nuk është më CEO i kompanisë së softuerit pas më shumë se 30 vitesh në krye, Ellison ende shërben si CTO i kompanisë teknologjike dhe ka një vlerë neto prej rreth 136 miliardë dollarë. Vitin e kaluar ai theu rekordin e pasurive të paluajtshme në Florida duke blerë një kompleks apartamentesh prej 120 milionë dollarësh në zonën e Palm Beach.
Rezidenca kryesore e miliarderit 79-vjeçar është në Lanai, një ishull Havai ku jetojnë rreth 3000 njerëz. Ellison zotëron 98 për qind të Lanai, të cilën e bleu nga kryetari i Dole Food, David Mutdock në 2012 për 300 milionë dollarë.
Ndër pronat e shumta që zotëron – në Kaliforni, San Francisko, Liqeni Tahoe etj. – më mbresëlënësja është rezidenca Beechwood në Newport, Rhode Island. E ndërtuar në vitin 1851, ajo u ble nga Ellison në vitin 2010 për 10.5 milionë dollarë dhe thuhet se ka shpenzuar më shumë se 100 milionë dollarë për ta kthyer atë në një muze.
Warren Buffett
Kryetari dhe CEO i Berkshire Hathaway mban një shtëpi modeste në qytetin e tij të lindjes, Omaha, Nebraska. Pasuria e tij e madhe (aktualisht me vlerë 117 miliardë dollarë) nuk e ka shtyrë miliarderin 93-vjeçar të largohet për në klimat më të buta.
Sipas një raporti të CNBC, rezidenca e Buffett-it e vitit 1921, e vendosur vetëm disa minuta nga selia e Berkshire Hathaway, ende i përshtatet atij: “Është e ngrohtë në dimër dhe e freskët në verë. Është e përshtatshme për mua”, i tha ai Evan Davis të BBC-së në vitin 2009. “Nuk mund të imagjinoja një shtëpi më të mirë”.
Buffett bleu shtëpinë me pesë dhoma gjumi për 31,500 dollarë në vitin 1958. “Jam i lumtur këtu,” tha ai. “Do të lëvizja nëse mendoja se do të isha më i lumtur diku tjetër”.
Top Channel