Kryeprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi ka mbërritur këtë të mërkurë në SPAK, ku ka zhvilluar një takim me prokurorët e posaçëm për dosjen e Elbasanit.
Kur në rrëfimin e Artan Tafanit po hidhet dritë mbi ngjarje kriminale të kryera jo vetëm në Shqipëri, si njëri prej hetuesve të çështjes kryeprokurori i Elbasanit Kreshnik Ajazi kërkoi ndihmë nga SPAK. I vënë nën mbrojtje të posaçme prej kohësh në një takim me prokurorët specialë, Ajazi shkëmbeu të dhëna sekrete, mbi vrasjet e kryera në disa qytete dhe mbi narkotrafikun e përshkruar nga i afërmi dhe bashkëpunëtori i Laert Haxhiut. Sakaq në këtë pendim, skeda e 31-vjeçarit, po vijon të mbushet jo vetëm me 6 vrasje të tjera, por edhe me dyshimet se ai siguroi rrugë të reja të tranzitimit të kokainës drejt Evropës. Me 15 masa sigurimi personal të aprovuara nga gjykata, midis tyre edhe ndaj një gruaje , për prokurorët e Elbasanit do të jetë e pashmangshme shpallja e moskompetencës dhe dorëzimi i dosjes në SPAK.
Dhe derisa Tafani t’i thotë të gjitha, në takim u vendos që përkohësisht dosja të hetohet nga prokurorët e Elbasanit nën vëzhgimin dhe udhëzimet e SPAK. Sakaq, i penduari Tafani ka statusin e përkohshëm të dëshmitarit të mbrojtur që zgjat 1 muaj. Mbas kësaj do të vendoset nëse do ta ketë apo jo këtë status. Gjithçka varet nga fjala e tij dhe provueshmëria.
Aktualisht Laert Haxhiu, mosha 31 vjeç po gjykohet nga gjykata kundër krimit të organizuar në Tiranë për 2 vrasje në Lushnjë si dhe për grup kriminal. Duke ju shmangur drejtësisë dhe me statusin i akuzuar në mungesë, Laert Haxhiu përmes një gjykate në Janinë ka mundur për momentin të shpëtojë. Ekstradimi i tij pritet të shqyrtohet nga apeli i përgjithshëm në Athinë. Detar Hysi, avokati i tij mbrojtës në Shqipëri i tha Top Channel se Laert Haxhiu ka kërkuar azil në Greqi, me arsyetimin se në vendlindje i rrezikohet jeta.
Gjithsesi nëse prokuroria do të vërtetojë fjalët e të penduarit, emri i Laert Haxhiut pritet të fundosë dhe anëtarë grupesh të tjera.
Tafani rrëfen se si tre grupe njëri i drejtuar nga Haxhiu, tjetri në Fier dhe një i tretë i drejtuar nga një shtetas shqiptar në Greqi kryen aleanca dhe trafikuan kokainë nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të BE.
Top Channel