Kisha Katolike mund të bekojë lidhjen mes personave të të njëjtës gjini, e nënkuptuar kjo nga vetë Papa Francesku.

Duke iu përgjigjur një grupi kardinalësh, që kërkuan një sqarim të kësaj çështjeje, Ati i Shenjtë u përgjigj se çdo kërkesë për bekim, duhet të trajtohet me “mirësi pastorale”.

“Ne nuk mund të jemi gjyqtarë që vetëm mohojmë, kundërshtojmë dhe përjashtojmë”, u shpreh papa argjentinas. Francesku shtoi megjithatë, se Kisha ende e konsiderohen marrëdhënien mes personave të gjinisë së njëjtë si “mëkat” dhe nuk  e njeh martesën mes tyre. Kjo ishte një prej shumë kërkesave të drejtuara Papës në një takim me pjesëmarrës nga e gjitha bota, për të diskutuar të ardhmen e Kishës.

Në Kishën Katolike, bekimi është një lutje që bën zakonisht një zyrtar i kishës, i cili i kërkon Zotit që ta shohë me mirësi individin apo personat që bekohen. Peshkopët në disa shtete, përfshirë Belgjikën dhe Gjermaninë, kanë nisur t’iu lejojnë priftërinjve që t’i bekojnë çiftet e personave të të njëjtës gjini, por pozicioni zyrtar i Kishës mbetet i paqartë. Në 2021-shin, pas një kërkese të ngjashme për sqarim, zyra doktrinore e Vatikanit vendosi kundër lejimit të një praktike të tillë.

Top Channel