Ky është 59-vjeçari Martin Bardhi, që mbeti i vrarë paraditen e sotme në lokalin e tij në Rrëshen.

Ngjarja e ditës së sotme ishte në kufijtë e një masakre, pasi mbetën të plagosur edhe tre qytetarë të tjerë, që po konsumonin kafe në lokalin e viktimës.

Të plagosur kanë mbetur edhe kushëriri i viktimës Indrit Bardhi, Olti Gjini dhe Ilir Bardhoku, të cilët janë dërguar në spital.

Vrasja ndodhi këtë paradite, rreth orës 10:40 pranë lokalit të viktimës, Martin Bardhi, 59 vjeç. Dyshohet se në fillim, 59-vjeçari dhe autorët janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe sherri ka degraduar në përdorimin e armëve. Atentatorët më pas janë larguar me një fuoristradë të zezë.

Dyshohet se hakmarrja ka qenë shkak i vrasjes, pasi në mars të këtij viti, së bashku me të birin, Erind Bardhin, Martini qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit Saimir Reçit, nipi i Kastriot Reçit të ekzekutuar në vitin 2020. Saimir Reçi arriti t’i shpëtonte atentatit, ndërsa Bardhi u vu në pranga.

Vetëm pak ditë më parë, ai kishte dalë nga burgu. Mes fiseve Reçi dhe Bardhaj ka pasur vazhdimisht konflikte dhe dyshohet se edhe vrasja e sotme lidhet me përplasjen mes dy fiseve.

Top Channel