Mbi 600 incidente me sfond anticigan besohet të jenë regjistruar këtë vit në Gjermani.

Për herë të parë Qendra e Raportimit dhe Informimit të Anticiganizmit dokumentoi se ku dhe si shfaqet anticiganizmi në Gjermani. Përfundimi i saj ishte se shpesh ai shfaqet dukshëm edhe tek vetë autoritetet e shtetit. Të gjitha rastet e diskriminimit apo dhunës janë anonime.

Shumë raporte vijnë drejtpërdrejt nga personat e prekur, disa janë të dokumentuara gjithashtu në burime zyrtare si statistikat e Zyrës Federale të Policisë Kriminale për krimet e motivuara politikisht. Këtu përfshihet edhe rasti i vetëm i dhunës ekstreme i shënuar në raportin vjetor të MIA-s për vitin 2022, i cili ka ndodhur në Landin e Zarës, thonë mediat gjermane.

“Një grup njerëzish u ofenduan fillimisht në mënyrë anti-cigane nga persona që ishin në dy makina që kalonin pranë dhe më pas u qëlluan me pistoletë me ajër të ngjeshur. Pati disa lëndime”, shkruajnë ato. Raporti i MIA-s dëshmon qartë rreziqet e rritjes së nacionalizmit dhe ekstremizmit të djathtë, i cili sërish po shfaq agresion dhe dhunë ndaj sintëve dhe romëve, hebrenjve dhe pakicave të tjera, pohon Romani Rose.

Kryetari i Këshillit Qendror të Sintëve dhe Romëve thotë se ende “mungojnë njohuritë për mekanizmat e anticiganizmit” në shoqëri. Kjo formë racizmi është “një dukuri e trishtuar e përditshme jo vetëm në rrugë, por edhe në institucione zyrtare”, thuhet në raport. Një në pesë raste të regjistruara ka lidhje me kontaktet me autoritetet shtetërore.

Top Channel