Ekskluzive! Droga e fshehur në konserva/ Si transportohej lënda narkotike në kryeqytet? Shkatërrohet rrjeti shpërndarës

14/09/2023 10:28

Top Channel ka siguruar fotot që tregojnë se si grupi kriminal që u shkatërrua sot shpërndante lëndën narkotike në kryeqytet.

Ashtu sikurse duket, trafikantët e fusnin hashashin në konserva dhe më pas e shpërndanin. Kanabisin që tregtonin ishte i prodhuar me llamba dhe kushtonte 3000 lekë, tre herë më shtrenjtë se kanabisi klasik.

Sipas gazetares së Top Channnel Dorjana Bezat, operacioni është ende në vijim, ndërkohë që personat e përfshirë në këtë rrjet, shpërndanin kanabis, kokainë dhe heroinë.

Ky hetim ka nisur muaj më parë, ku policia hetoi lidhjet e personave të arrestuar më herët për shpërndarje dhe zbuloi anëtarët e tjerë. Gjykata ka nxjerrë mbi 100 urdhra ndalimi.

Sipas gazetares Dorjana Bezat ky operacion po mbahet në të njëjtën kohë edhe në disa qytete të tjera, ku zbulohet se numri më i lartë i shpërndarëve është në Tiranë. Deri më tani në qytetin e Vlorës janë arrestuar 60 persona, të cilët dyshohen se janë shpërndarës të sasive të vogla të drogës. Mes të arrestuarve ka dhe femra.

Në qytetin e Elbasanit janë arrestuar nëntë persona dhe pesë të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes të arrestuarve është edhe një punonjës policie, Sajmir Hysa i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorit të krimit.

Në Korçë janë arrestuar 20 persona, në Fier katër të arrestuar dhe gjashtë nën hetim, ndërsa në Bulqizë janë arrestuar katër persona dhe janë kontrolluar pesë banesa.

Në qytetin e Shkodrës deri më tani janë sekuestruar mbi 10 mijë rrënjë kanabis, në zonën e Dajçit dhe Velipojës, ndërsa janë shoqëruar në komisariat tre persona. Policia e Shkodrës ka ushtruar kontrolle edhe në disa lokale në afërsi të shkollave në lagjen “Skenderbeg”, ku janë shoqëruar disa persona të tjerë.

Policia ka sekuestruar vetëm në kryeqytet rreth 3 kg kokainë dhe 15 kg kanabis.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA