Negociatat për paqen në Ukrainë, Witkoff do të takohet të hënën me Zelenskyn dhe liderët europianë
Vetëm disa orë pas intervistës së kryeministrit Rama në televizionin publik ERT kryesisht për burgimin e z. Beleri, marrëdhënieve greko-shqiptare dhe minoritetit grek në Shqipëri, vjen reagimi i diplomacisë greke.
Ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis, në një deklaratë për gazetarët grekë pas pjesëmarrjes së tij në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të BE-së “Gymnich” në Toledo, ka theksuar se është diskutuar edhe çështja e kryetarit të Bashkisë së Himarës.
“Çështja e mbajtjes së përkohshme në mënyrë të padrejtë të Fredi Belerit, dhe që pengon betimin e tij si kryetar i Bashkisë së Himarës, tashmë është ngritur nga Ministria e Jashtme, nga unë, në të gjitha forumet e mundshme. Të gjithë ministrat e vendeve anëtare të BE-së, përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Stoltenberg, janë informuar personalisht. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian gjithashtu janë informuar në mënyrë të plotë“- ka thënë ai.
“Pata mundësinë të bëja një diskutim të gjerë kokë më kokë me komisionerin përgjegjës për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, me të cilin ngritëm çështjet e Ballkanit Perëndimor. Greqia, siç e dini, ka marrë iniciativën për të përshpejtuar rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt familjes evropiane. Dhe 20 vjet pas Deklaratës historike të Selanikut, Greqia do të jetë gjithmonë mbështetje për këto vende sa i përket perspektivës së tyre evropiane.
Sidomos për çështjen e zotit Beleris, dua të theksoj se, pavarësisht nga çështja e vendimeve gjyqësore, pavarësisë së drejtësisë shqiptare, këtu shtrohet çështja e paraburgimit që e pengon atë të marrë detyrën. Kjo është një shkelje e qartë e prezumimit të pafajësisë, e shtetit të së Drejtës, e të drejtave politike të tij dhe të qytetarëve të Himarës që e zgjodhën atë.
Dhe dua të theksoj se kjo çështje, veçanërisht betimi dhe marrja e detyrës nga zoti Beleris, nuk ka të bëjë me funksionin gjyqësor në Shqipëri, por është thjesht një çështje vullneti politik, nga ana e qeverisë shqiptare. Dhe për këtë arsye, Greqia do të vazhdojë të shfrytëzojë çdo mundësi, në mënyrë që të mundësohet betimi i z. Beleri si kryetar bashkie dhe të shprehet në mënyrën më të mirë vullneti i banorëve të Himarës, ashtu siç erdhi përmes zgjedhjeve të saj bashkiake të 14 majit”– përfundon ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis.
Top Channel