Nuk ka fund të lumtur mes Milanit dhe Leaos/ Portugezi vendoset në shitje, ja sa kërkojnë kuqezinjtë

02/07/2026 22:42

Historia mes Rafael Leao dhe Milanit duket se po i afrohet fundit. Pas shtatë vitesh së bashku, sulmuesi portugez mund të largohet nga “kuqezinjtë” gjatë kësaj merkatoje vere.

Sipas mediave italiane, drejtuesit e Milanit kanë nisur bisedimet me përfaqësuesit e Leaos dhe kanë dalë në përfundimin se 26-vjeçari nuk bën pjesë në planet e trajnerit Ruben Amorim.

Megjithatë, largimi i tij varet nga mbërritja e një oferte të kënaqshme. Deri tani, Barcelona dhe Manchester United kanë bërë vetëm kontakte fillestare, ndërsa Tottenham është informuar për mundësinë e transferimit. Nga ana tjetër, ofertat nga Arabia Saudite dhe Turqia nuk e bindin futbollistin, i cili preferon të vazhdojë karrierën në një kampionat elitar europian.

Milani është i gatshëm ta shesë Leaon për një shumë që varion mes 60 dhe 70 milionë eurove, shumë më e ulët se klauzola e lirimit, e cila është 170 milionë euro. Klubi italian është i hapur edhe ndaj formulave alternative, si një huazim me pagesë dhe detyrim blerjeje, por synimi mbetet i njëjtë: të sigurojë të ardhura të garantuara nga transferimi.

Shitja e Leaos do t’i shërbente Milanit për të financuar pjesërisht afrimin e sulmuesit portugez Gonçalo Ramos, i cili konsiderohet një nga objektivat kryesorë të klubit.

Vetë Leao nuk e ka fshehur dëshirën për të nisur një kapitull të ri në karrierë. Sulmuesi ka shprehur prej kohësh vullnetin për të provuar një kampionat tjetër dhe tani pret që të mbërrijë oferta e duhur për të realizuar largimin nga “San Siro”.

Top Channel