Qindra fluturime në Mbretërinë e Bashkuar u anuluan sot! Ndërprerja pritet të zgjasë disa ditë

29/08/2023 17:28

Fluturimet në Britaninë e Madhe janë vonuar edhe sot, duke bërë që mijëra njerëz të presin në aeroporte për orë të tëra, që pas një defekti teknik në kontrollin e trafikut ajror ditën e djeshme.

Edhe pse problemi u zgjidh, sipas BBC kjo situatë do të vazhdojë edhe për disa ditë.

“Një defekt teknik bëri që sistemi automatik për përpunimin e fluturimeve të ndalonte së punuari, që do të thotë se gjithçka duhej bërë me dorë, gjë që ngadalësoi procesin”, tha BBC.

Pasojat domino të problemit, siç shkruajnë mediat britanike, mund të reflektohen edhe në trafikun ajror të ditëve në vijim dhe për këtë arsye mund të lindin probleme të ndryshme.

BBC rithekson se Downing Street ka hedhur poshtë mundësinë që dëmi të jetë shkaktuar nga hakerimi.

Megjithatë hetimet vijojnë për zbardhjen e rastit, ndërkohë që sot janë anuluar të paktën 281 fluturime në aeroportet më të ngarkuara të Mbretërisë së Bashkuar.

Një zëdhënës i Downing Street, pas deklaratave të ministrit britanik të transportit, përsëriti se dëmtimi i kontrollit të trafikut ajror nuk është shkaktuar nga një sulm kibernetik .

“Informacioni që kemi është se nuk ka pasur asnjë sulm kibernetik. Shkaku i saktë i problemit do të hetohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe më pas do t’i dorëzohet qeverisë ”, tha zëdhënësi.

Kujtohet se të hënën në aeroportet evropiane ka mbizotëruar një skenë kaosi me mijëra fluturime të anuluara dhe udhëtarët në gjendje të dëshpëruar kërkonin përgjigje.

Ryanair njoftoi se 40 mijë pasagjerëve iu anuluan fluturimet.

Ashtu si në Mbretërinë e Bashkuar, në Spanjë, Portugali, Izrael dhe vende jashtë Evropës, qindra udhëtarë, në shumë raste me fëmijë të vegjël, u bllokuan, pasi ndërprerja preku edhe fluturimet përmes hapësirës ajrore të Mbretërisë së Bashkuar.

Më shumë se 1500 fluturime u anuluan dhe qeveria britanike njoftoi sot nisjen e një hetimi administrativ për shkaqet e dështimit teknik, i cili ende nuk dihet.

Gjithashtu theksohet se ata që janë planifikuar të hipin në një fluturim nesër do të përballen sërish me vonesa të konsiderueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA