Në New York ngriti siparin turneu i fundit Grand Slam i vitit, US Open
Novak Djokovic që nuk e fiton këtë turne që nga viti 2018 e nisi këtë eveniment me një fitore të lehtë në raundin e parë teksa në Arthur Ashe Stadium ai eliminoi Alexandre Muller teksa e mundi 3-0. Djokovic i mjaftuan 1 orë e 35 minuta lojë për të mbyllur llogaritë e kësaj sfide teksa i fitoi setet me rezultatin 6-0; 6-2 dhe 6-3.
Kaloi në raundin e dytë të turneut në Flushing Meadows edhe Stefanos Tsitsipas. Tenisti grek eliminoi në ndeshjen e tij Milos Raonic duke e mposhtur me rezultatin 3-0. Ishte një ndeshje të cilën Tsitsipas e kontrolloi pa shumë probleme teksa i fitoi të 3 setet me rezultatin 6-2; 6-3 dhe 6-4 në vetëm 1 orë e 56 minuta lojë.
Surprizën në ditën e parë të US Open e bëri Holger Rune që u eliminua nga Carballes Baena me spanjollin që e mundi me rezultatin 3-1. Carballes Baena fitoi setin e parë 6-3, por danezi barazoi gjithçka duke fituar fraksionin e dytë 6-4. Në dy setet e tjerë Carballes Baena u shfaq sërish superior ndaj kundërshtarit të tij dhe fitoi dy setet e tjerë 6-3 dhe 6-2 për të mbyllur sfidën 3-1.
Në kampin e femrave, Iga Swiantek e shndërroi në një seancë stërvitore ndeshjen e saj të raundit të parë me suedezen Peterson të cilën e mundi me rezultatin 2-0. Ishte një sfidë të cilën numri 1 i renditjes botërore e dominoi totalisht duke e lënë kundërshtaren e saj të fitojë vetëm 1 game për të mbyllur setet 6-0 dhe 6-1.
U kualifikua për në raundin e dytë edhe Elena Rybakina që eliminoi ukrainasen Kostyk me rezultatin 2-0. Edhe për numrin 4 të botës ishte një ndeshje shumë e lehtë me tenisten kazake që i mbylli të gjitha llogaritë e saj në 1 orë e 27 minuta teksa i fitoi setet 6-2 dhe 6-1.
Top Channel