Dështoi te Reali, sulmuesi po mendon tërheqjen nga futbolli

28/08/2023 17:48

Eden Hazard po mendon tërheqjen nga futbolli.

Sipas “Got Football New France”, sulmuesi belg po konsideron seriozisht të varë këpucët në gozhdë pas aventurës zhgënjyese te Real Madridi.

32-vjeçari ka ngelur pa skuadër që pas përfundimit të kontratës me “Los Blancos”, megjithatë emri i tij u lakua te skuadra kanadeze e Vancouver Ëhitecaps. Por tashmë ka dalë një lajm i ri rreth situatës së belgut, ai i tërheqjes nga futbolli.

Nuk dihen ende arsyet që e kanë shtyrë 32-vjeçarin t’i japë lamtumirën futbollit, por me shumë gjasa dështimi te Reali dhe dëmtimet e shumta kanë qenë një goditje e madhe për karrierën e Hazard, duke e bërë atë të mendojë tërheqjen.

Dhjetorin e kaluar sulmuesi njoftoi edhe tërheqjen nga kombëtarja belge, duke mbyllur një karrierë 14-vjeçare me 122 ndeshje dhe 33 gola të shënuar.

Eden Hazard u bë pjesë e Realit të Madridit në vitin 2019 kur u transferua nga Chelsea për një shifër prej 115 mln eurosh.

Gjatë katër sezoneve në “Santiago Bernabeu”, belgu luajti në 54 ndeshje, duke shënuar vetëm katër gola. Vitet më të mira të karrierës i kaloi te Chelsea, ku luajti për shtatë sezone, duke shënuar 85 gola me “blutë” e Londrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA