Kandidatët republikanë për president bëhen gati për debatin e parë

23/08/2023 15:51

Aktiviteti i parë i rëndësishëm i fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara do të mbahet të mërkurën.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman kandidatët e Partisë Republikane do të përballen në një debat në qytetin Miluoki të shtetit Viskonsi në mbrëmje.

Kur kandidatët republikanë të dalin në skenën e debatit në qendër të qytetit Miluoki të mërkurën në mbrëmje, mes tyre nuk do të jetë kandidati kryesor, ish-presidenti Donald Trump i cili ka thënë se nuk do të marrë pjesë.

Vetëm një nga pjesëmarrësit e pritshëm, ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, e ka kritikuar hapur dhe ashpër zotin Trump. Të tjerë, si Guvernatori i Floridës Ron DeSantis dhe ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, kanë pasur një qasje më të matur, duke shpresuar të bindin bazën e partisë që vazhdon të jetë besnike ndaj zotit Trump, se ata mund të zbatojnë axhendën e ish-presidentit “Make America Great Again”, pa barrën a çështjeve ligjore ndaj tij dhe polemikave të tjera.

Ndërkohë ish-nënpresidenti Mike Pence, e ka mbrojtur certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2020, një veprim ceremonial që ai e bëri megjithë kundërshtimin e zotit Trump.

Ai vazhdon të ketë një mbështetje të ulët në shumicën e sondazheve të votuesve republikanë për vitin 2024.

Edhe pse zoti Trump dhe komentet e tij bombastike do të mungojnë në skenë, debati do të përqendrohet kryesisht rreth tij, përfshirë faktin që ai përballet me 90 akuza penale lidhur me veprimet e tij para, gjatë dhe pasi presidencës, parashikon profesori i shkencave politike në Universitetin Mary Washington, Stephen Farnsworth.

“Kjo krijon vështirësi për republikanët e tjerë, sepse ata kanë idetë e tyre në lidhje me çështje kyçe si ekonomia, Ukraina ose imigracioni e megjithatë mund të privohen nga mundësia për të diskutuar për ato çështje. Pyetjet ndaj tyre do të jenë për Donald Trump-in”, thotë ai.

Debati nuk do të ketë ndonjë ndikim tek zoti Trump: Ai do të vazhdojë të jetë kandidati kryesor. Por profesori i Universitetit Amerikan, Jordan Tama thotë se një koment i gabuar ose i duhur gjatë debatit, mund të ndryshojë ndjeshëm shanset e kandidatëve të tjerë.

“Kemi parë nga debatet në ciklet e kaluara zgjedhore që kandidatët mund të kenë një moment të keq që mund të sjellë skualifikimin e tyre. Kemi parë gjithashtu momente në debatet e kaluara ku kandidatët kanë thënë diçka që ka ndikuar pozitivisht tek shanset e tyre, duke u dhënë një shtysë në garë”, thotë ai.

Secili nga kandidatët në skenë shpreson që paraqitja e tyre të mërkurën mbrëma t’i japë hov garës, duke u dhënë mundësinë që të kthehen në Miluoki kur Partia Republikane të mblidhet po në këtë qytet për të zgjedhur kandidatin për zgjedhjet e përgjithshme në korrik të vitit të ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA