Presidenti Biden do të vizitojë zonat e shkatërruara nga zjarri në Havai

21/08/2023 15:48

Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden do të shkojnë sot në Maui për të vlerësuar pasojat e zjarreve që shkrumbuan një pjesë të ishullit të Havait.

Presidenti do të shkëputet nga pushimet në Liqenin Taho për të vizituar ishullin Maui. Presidenti do të vizitojë komunitetet e shkatërruara në qytetin Lahaina për të parë nga afër dëmet dhe për t’u informuar nga zyrtarët lokalë dhe shtetërorë.

Piloti Richie Olsten ndoqi nga kabina e helikoterit zjarret që shkrumbuan ishullin e dytë më të madh të Havait.

“Qindra shtëpi u rrafshuan me tokën. Pjesa historike e qytetit është shkatërruar, të gjitha ndërtesat historike. Lahaina ka qënë kryeqyteti i Havait. Madje edhe anijet në liman u dogjën deri në rrëzë të ujit”.

Zjarri që filloi në shkurre u tjetërsua në një stuhi të zjarrtë masive si rezultat erërave të forta dhe thatësirës, duke shkrumbuar qytetin Lahaina të Mauit.

Shefi i urgjencës në Maui, Herman Andaya, dha dorëheqjen mes kritikave për mos dhënien e alarmit përmes sirenave të urgjencës që përdoren zakonisht për të paralajmëruar në rast cunami.

Ai e mbrojti vendimin, duke thënë se paralajmërimet për cunami i udhëzojnë banorët që të shkojnë brenda në ishull, në këtë rast drejt zjarreve. Ai dha dorëheqjen për arsye shëndetësore.

Më shumë se 114 persona kanë humbur jetën, një numër që pritet të rritet në ditët në vijim. Numri i të zhdukurve mbetet i paqartë, ndërkohë që Departamenti i Mbrojtjes ka dërguar përforcime në Havai.

Ushtria dhe garda po marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit. Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave, FEMA, thotë se deri tani përpjekjet e ndihmës kanë qenë të suksesshme.

“Aktualisht, rreth 78% e përpjekjeve të kërkimit kanë përfunduar në qytetin Lahaina. Ekipet në terren po kontrollojnë të gjitha strukturat e dëmtuara nga zjarret. Familjeve të prekura nga katastrofa, që janë regjistruar me agjencinë tonë, u kemi dhënë mbi 8 milionë dollarë. Mbi 1200 banorë tani janë strehuar në hotele, duke çuar në rreth 40 numrin e të strehuarve në tendat tona. Shumë janë strehuar në shtëpi me qira afatshkurtër”, tha Deanne Criswell, drejtuese e Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave.

Presidenti Biden dhe zonja e parë do të mbërrijnë të hënën në qytetin Lahaina. Për banorët, që po përpiqen të plotësojnë nevojat bazë, vizita ofron një ndjenjë shprese se ndihmat do të arrijnë shpejt atje ku është më e nevojshme.

“Shpresoj shumë se vizita do të përshpejtojë ardhjen e ndihmave. Mësova se shumë nga furnizimet që nuk janë certifikuar nga FEMA ose Kryqi i Kuq nuk vinë. Kjo është zhgënjyese”, thotë Jim Wilsey, banor i qytetit Lahaina.

Zjarret më vdekjeprurëse në më shumë se një shekull që shpërthyen në Lahaina, në pjesën perëndimore të Mauit më 8 gusht, kanë shkaktuar të paktën 114 viktima, një shifër që pritet të rritet gjatë ditëve në vazhdim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA