Hajduti i shtëpive në Durrës është kapur dhe arrestuar.

Sipas policisë, 32-vjeçari Oliv Tushi, gjatë periudhës qershor-gusht 2023, ka vjedhur në 8 banesa dhe ka tentuar të vjedhë në 6 banesa të tjera, sende personale, sende me vlerë dhe pajisje të ndryshme.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 25 ora, 5 celularë dhe bizhuteri të dyshuara të vjedhura, si dhe çelësa dhe mjete që dyshohet se i kishin shërbyer Tushit për të kryer vjedhjet.

“Si rezultat i hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, mbi denoncimet e marra tre muajt e fundit, për vjedhje dhe tentativa për vjedhje, në banesa në lagje të ndryshme të qytetit, është finalizuar operacioni policor i koduar “Çelësi””, thuhet në njoftimin e policisë.

Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel