Ky është George, babai Rebecca Gannon, anglezes e cila humbi jetën 11 muaj më parë, në brigjet e Sarandës, teksa nisi të bënte Scuba Diving.

Menjëherë pas humbjes të së bijës, ai la Anglinë për t’u vendosur në Sarandë.

E gjitha për të mësuar të vërtetën e asaj çfarë ndodhi. E pret dhe ka tentuar ta mësojë, nga organet e drejtësisë shqiptare, të cilat po hetojnë rastin dhe kanë ngritur një akuzë nën dyshimin e “shkeljes së rregullave në punë”, ndaj Saimir Kushovës, pronar i agjencisë së zhytjeve.

Por nga ajo çfarë raporton gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu rezulton se britaniku George Gannon, është përballë një muri bllokues, në të mësuarin zyrtarisht se çfarë ndodhi me të bijën, e ardhur me të dashurin për pushime në Sarandë, por iu kthye e vdekur.

George Gannon përmes një avokati i cili përfaqëson familjen e Rebeccas, më 24.05.2023 i është drejtuar prokurorisë Sarandë, me këtë kërkesë të cilën e disponon Top Channel ku thuhet:

“Bazuar në Ligjin 55/2018 avokati ka të drejtë të kërkojë shpjegime dhe dokumente që kanë lidhje me çështjen ose klientët që përfaqëson, nga çdo institucion i administratës publike, gjykatat, prokuroritë etj. Kërkojmë informacion në lidhje me fazën në të cilën ndodhen hetimet nga Prokuroria Sarandë në lidhje me aksidentin e datës 19.09.2022 ku humbi jetën Rebecca Gannon. Kopje të materialeve fashikullit hetimor”.

Sipas George Gannon dhe avokatit që e përfaqëson, megjithëse po mbushen 3 muaj nga dërgimi kësaj kërkese bazuar në ligj, Prokuroria e Sarandës nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Ndërkohë edhe kërkesa Top Channel, e datës 14 gusht, në bazë të drejtës për informim publik për ecurinë e hetimeve, vijon të jetë pa përgjigje.

Kthimi Prokurorisë Sarandë në një “kështjellë” hermetike për këtë rast, nuk bën gjë tjetër veçse shton dhimbjen për George Gannon, e familjen e tij, përballë kërkimit të drejtësisë për Rebeccën.

FOTO GALERI
3/6
Rebecca Gannon me të dashurin

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA