Ish zv. ministri i Shëndetësisë buzagaz gjatë seancës gjyqësore, pamjet brenda kafazit të xhamit në GJKKO

18/08/2023 12:01

Ish-zv. ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj është parë i qeshur gjatë seancës gjyqësore që po mbahet në GJKKKO këtë të premte.

Seanca gjyqësore në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vlerësimin e masës së sigurisë për tetë të pandehurit të përfshirë në koncesionin e sterilizimit, përfshirë edhe ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj po mbahet këtë të premte.

Seanca po drejtohet nga gjyqtarja e gatshme në detyrë, Etleva Deda, pasi gjyqtari Erjon Bani është me pushime.

Kujtojmë se tetë persona u vunë nën masa sigurie nga GJKKO, tetë vite pas firmosjes së koncensionarit të sterilizimit dhe tre vite pasi çështja u kallëzua në SPAK.

Ish zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, në cilësinë e kryetarit të komisionit për koncensionarin me vlerë fillstare 9.6 miliardë lekë përfundoi nën arrest me burg për shpërdorim detyre.

Së bashku me të edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, që dyshohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe që kryeson konsorciumin.

Veç tetë personave, GJKKO i ka sugjeruar SPAK-ut që të ushtrojë ndjekje penale edhe për gjashtë persona të tjerë, përfshirë edhe ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.
SPAK shprehet se ka veçuar hetimet edhe për persona të tjerë të dyshuar në kontratën e partneritetit publik privat, të kallëzuar dhjetorin e 2019 nga Nisma Thurje.

Kujtojmë se kontrata e sterilizimit u firmos në vitin 2015 nga ministri i Shëndetësisë dhe biznesmenit të kompanisë “Sani Service”, ndërsa edhe pse u kundërshtua nga ish ministri i Financave, edhe ai e miratoi.

Shkëlqim Cani ishte në SPAK një ditë më parë për këtë çështje si person që ka dijeni, pavarësisht se Gjykata Antikorrupsion ka vënë në pikëpyetje rolin e tij.

Gjithashtu Gjykata e Posaçme kërkoi vënien në lëvizje të ILDKPI për të shpallur të pavlefshme kontratën e sterilizimit, pasi u firmos në kushtet e konfliktit të interesave.

Top Channel