Ekskluzive/ Detaje nga dosja “Sterilizimi”, provat ndaj të arrestuarve

18/08/2023 13:34

Gazetarja Anila Hoxha tha se në dosjen që Top Channel ka ekskluzivisht vërehen edhe dyshimet që hidhen edhe ndaj dy ish ministrave të tjerë, ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish ministri i Financave, Shkëlqim Cani, për të cilin më 23 qershor gjyqtari Erjon Bani ka orientuar dhe sugjeruar SPAK-un që të ushtrojë ndjekje penale edhe ndaj tyre e ndaj katër funksionarëve të tjerë.

Në dosje thuhet se Ilir Beqja ka kryer dalje në pikën kufitare Rinas më 25 shtator 2016 me Admir Dacas, administrator i shoqërisë koncesionare “Sani Service”.

Po ashtu ka udhëtime jashtë shtetit mes Umbro Staccini dhe biznesmenit të lënë burg nga GJKKO, Ilir Rrapaj me ish. ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ish zv ministrin e Shëndetësisë, po ashtu të lënë burg, Klodian Rrjepaj, të cilët kanë vijuar të kenë kontakte edhe pas shpalljes fitues të koncesionit nën hetim.

Sipas SPAK, gjithashtu ka hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Morinë me makinë në datën 13.03.2018.

Në dosje përmenden detaje të tjera që nuk janë përmendur më herët sa i takon shprehjes së dakordësisë, ku ish ministri i Shëndetësisë, Beqja i ka kërkuar takim shefave të Kirurgjisë para se të firmosej kontrata e koncesionarit në dhjetor të vitit 2015, për të cilën Beqja kërkoi plotfuqinë dhe mori miratimin nga katër ministra të tjerë, Mirela Kumbaro,  Edmond Panariti, Arben Ahmetaj dhe Lefter Koka. Ata bien dakord për marrëveshjen me palën italiane, të firmosur në Umbria që më pas hapi procedurën për koncesionin e sterilizimit në dhjetor të 2015-ës.

“Admir Daca, administrator i shoqërisë koncesionare “Sani Service” që prej datës 01.12.2015 që fitoi koncesionin objekt hetimi dhe shtetasi Ilir Beqaj me detyrë Ministër i Shëndetësisë në atë kohë kanë dalje nga pika kufitare e Rinasit në datën 25.09.2016 në orën 14:15 dhe 14:06. Po ashtu kontaktet dhe udhëtimet jashtë shtetit mes Umbro Staccini dhe Ilir Rrapaj me Ilir Beqaj dhe Klodian Rrjepaj kanë vazhduar edhe pas shpalljes fituese në procedurën e koncesionit, konkretisht kanë hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas në datën 23.05.2017, përkatësisht në orën 23:32 dhe 23:35 si dhe hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Morinë me makinë në datën 13.03.2018 në orën 18:09 dhe 18:10”, sipas SPAK.

Sipas dosjes së SPAK, “shtetasi Ilir Rrapaj dilte jashtë vendit me makinën në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar nga shoferi i zëvendës ministrit të Shëndetësisë. Ky shtetas ka udhëtuar gjithashtu me Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja”.

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi lënien në fuqi të masave të sigurisë për tetë të pandehurit të përfshirë në koncesionin e sterilizimit.

Seanca u drejtua nga gjyqtarja e gatshme në detyrë, Etleva Deda, pasi gjyqtari Erjon Bani është me pushime.

Kujtojmë se tetë persona u vunë nën masa sigurie nga GJKKO, tetë vite pas firmosjes së koncensionarit të sterilizimit dhe tre vite pasi çështja u kallëzua në SPAK.

Ish zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, në cilësinë e kryetarit të komisionit për koncensionarin me vlerë fillstare 9.6 miliardë lekë përfundoi nën arrest me burg për shpërdorim detyre.

Së bashku me të edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, që dyshohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe që kryeson konsorciumin.

Veç tetë personave, GJKKO i ka sugjeruar SPAK-ut që tëë ushtrojë ndjekje penale edhe për gjashtë persona të tjerë, përfshirë edhe ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.
SPAK shprehet se ka veçuar hetimet edhe për persona të tjerë të dyshuar në kontratën e partneritetit publik privat, të kallëzuar dhjetorin e 2019 nga Nisma Thurje.

Kujtojmë se kontrata e sterilizimit u firmos në vitin 2015 nga ministri i Shëndetësisë dhe biznesmenit të kompanisë “Sani Service”, ndërsa edhe pse u kundërshtua nga ish ministri i Financave, edhe ai e miratoi.

Shkëlqim Cani ishte në SPAK një ditë më parë për këtë çështje si person që ka dijeni, pavarësisht se Gjykata Antikorrupsion ka vënë në pikëpyetje rolin e tij.

Gjithashtu Gjykata e Posaçme kërkoi vënien në lëvizje të ILDKPI për të shpallur të pavlefshme kontratën e sterilizimit, pasi u firmos në kushtet e konfliktit të interesave.

Top Channel