Të hënën, kryeministrja e Italisë ndërpreu pushimet e saj në Pulja e bashkë me familjen udhëtuan me një traget linje për t’ju përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit shqiptar Edi Rama që i mirëpriti në rezidencën qeveritare të Vlorës.

E ndërsa nuk u shpërnda asnjë pamje nga vizita private e kryeministres së Italisë, pushuesja vip që zgjodhi Shqipërinë ashtu si 500 mijë bashkombasit e saj këtë vit, duket se po kënaqet në vendin tonë.

Qëndrimi I familjes kryeministrore të Italisë po zgjat më shumë se sa ishte parashikuar. Pasditen e kësaj të enjteje siç shihet edhe në pamjet e siguruara nga Top Channel, Meloni është takuar rreth orës 17:00 me kryeministrin Rama në një nga lokalet e qendrës historike të qytetit të Vlorës.

Giorgia Meloni ka qenë e shoqëruar nga familjarët e saj. Ata kanë qëndruar më shumë se 90 minuta së bashku në ambientet lokalit. Të pranishëm ka pasur edhe qytetarë italianë që jetojnë apo pushojnë në Shqipëri të cilët kanë dashur të fiksonin një foto me kryeministren e tyre.  Mësohet se pasi kanë konsumuar kafen. Meloni me familjen janë larguar në drejtim të vilave qeveritare.

Për sigurinë e saj dhe familjes zona u rrethua nga forca të shumta sigurie, por dalja publike nuk i shpëtoi dot kamerave.

Qëndrimin prej 4 ditësh të Melonit në Shqipëri e komentoi edhe gazeta e njohur italine ‘La Stampa e cila në një shkrim të sajin thotë se ajo që duhet të ishte një vizitë disa orëshe u kthye në një festë katër ditore në plazhet e smeraldta të bregdetit të Adriatikut, mes Vlorës dhe Dhërmiut.

Ndonëse La stampa shkruan se vizita e shefes së ekzekutivit Italian në Tokën e Shqiponjave duhet të përfundojë sot, këto pamje tregojnë krejt të kundërtën. Kryeministrja e Italisë po e zgjat qëndrimin e saj në tokën e shqiponjave dhe qëndrimi nuk ka më një axhendë.

Top Channel