Il Messagero është media më e fundit italiane që kthen vëmendjen nga Shqipëria si një prej destinacioneve “të nxehta” turistike të kësaj vere.
“Një alternativë low cost” mjaft e pëlqyer përballë atyre popullore por edhe më të kushtueshme si Spanja, Greqia e vetë Italia, shkruan e përditshmja e njohur. Këtë vit, sipas Il Messagero, numri i turistëve italianë në vendin tonë është rritur me 53% krahasuar me 2022-shin.
Në total, numrin e të huajve që kanë vërshuar sivjet e llogarit të shtuar me 31% në krahasim me një vit më parë, apo e thënë ndryshe, mbi 5.1 milionë turistëve të zbarkuar, ndërkohë që bën dhe dallimin me koston e pushimeve në Itali.
Shifra është befasuese: Në fqinjin tonë përtej Adriatikut, sipas l`associazione Consumerismo të cituar nga Il Messagero, pushimet në Itali kushtojnë 248% më shumë. Shoqata e konsumatorëve atje ka vënë përballë njëra-tjetrës çmimet për shërbimet turistike shqiptare dhe ato italiane të gushtit.
7 netë buzë detit në Shqipëri kushtojnë nga 175 euro në Vlorë deri në 420 euro në Qeparo, thotë ajo, duke shtuar se në rastin e strukturave ekskluzive të luksit mund të mbërrihet në 2.300 deri në 5.653 euro.
Në Itali ndërkohë, për të njëjtën periudhë llogaritet të shpenzohen 564 euro në Milano Marittima e 889 euro në Villasimius. Për resortet dhe hotelet e luksit sakaq, pagesat mund të kapërcejnë 15 mijë eurot në Milano Marittima dhe 17 mijë eurot në Viareggio.
Përpos Shqipërisë, destinacione të preferuara të italianëve që duket se kanë kërkuar të shmangin plazhet e shtrenjta të vendit të tyre kanë qenë edhe Kroacia e Spanja.
Top Channel