Universiteti i Elbasanit me 1300 regjistrime për vitin e ri akademik që nis sot, ja degët më të preferuara

05/10/2026 08:15

Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” nis vitin akademik 2026-2027 me 1300 studentë të regjistruar. Sipas komunikatës zyrtare të këtij Universiteti,  regjistrimet pasqyrojnë qartë interesin e njëjtë dhe qëndrueshmëri me një vit më parë për programet e studimit që ofron universiteti.

Interesi më i lartë vazhdon të përqendrohet te programet që janë aktualisht më shumë në trend, si programet e Shkencave Mjekësore, Sporte, Ekonomi dhe IT.

Në nivelin Bachelor, programet më të preferuara sipas renditjes janë: Infermieri e Përgjithshme; Edukim Fizik dhe Sporte; Financë–Kontabilitet; Teknologjitë e Informacionit; Informatikë Ekonomike.

Ndërsa në programet profesionale, programet me te preferuara sipas renditjes janë: Teknik Mjedisi; Teknologji Laboratori; Sekretar i Specializuar; Edukator 0–3 vjeç; Mekatronikë.

Programet e mësuesisë vijojnë të kenë një interes te qëndrueshëm regjistrimesh ne raport me vitet e mëparshme por numër me te ulet regjistrimesh ne raport me programet trend, por të gjitha programet e mësuesisë me rëndësi kombëtare do të jenë të hapura këtë vit akademik.

Për studentët e programeve prioritare, ofrohen gjithashtu bursa të financuara nga Qeveria Shqiptare, duke krijuar mundësi të mëtejshme për përfshirjen dhe mbështetjen e studentëve në arsimin e lartë.

Universiteti vijon të ofrojë një portofol të gjerë dhe të larmishëm programesh studimi në pesë fakultete, në nivelet Bachelor, Master, profesional dhe doktoraturë, përfshirë edhe Programin e Integruar të Studimit në Drejtësi dhe programe të ofruara në gjuhën angleze.

Një nga drejtimet kryesore të vitit të ri akademik është forcimi i lidhjes ndërmjet formimit universitar dhe botës së punës. Në këtë kuadër, Universiteti i Elbasanit ka prezantuar “Paktin UNIEL për Praktikën dhe Punësimin”, një orientim i ri institucional që synon të krijojë më shumë ura bashkëpunimi ndërmjet universitetit, institucioneve publike, sektorit privat dhe studentëve.

Pakti synon të zgjerojë mundësitë për zhvillimin e praktikave profesionale, të krijojë më shumë hapësira për përvojë konkrete pune dhe të mbështesë studentët në kalimin nga auditorët drejt profesionit.

Ndërkombëtarizimi, një nga prioritetet e universitetit

Ndërkombëtarizimi mbetet një nga prioritetet kryesore të Universitetit të Elbasanit, me synimin për të zgjeruar vazhdimisht hapësirat e bashkëpunimit dhe mundësitë akademike për studentët dhe personelin. Përmes Erasmus+, marrëveshjeve me universitete partnere dhe projekteve ndërkombëtare, Universiteti ofron mundësi të vazhdueshme për mobilitet, zhvillim profesional dhe bashkëpunim akademik për studentët dhe personelin.

Universiteti i Elbasanit po zgjeron përfshirjen e tij në rrjete prestigjioze universitare në rajon dhe Evropë. Marrja e drejtimit të Balkan Universities Association (BUA), me 120 universitete partnere, si dhe anëtarësimi në Forumin e Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, krijojnë më shumë mundësi bashkëpunimi, mobiliteti dhe zhvillimi akademik për pedagogët dhe studentët.

Dimensioni ndërkombëtar i Universitetit po zgjerohet edhe përmes pranisë së studentëve nga hapësira të tjera shqipfolëse. Edhe këtë vit, studentë nga Presheva kanë zgjedhur Universitetin e Elbasanit për studimet e tyre. Në vijim, Universiteti synon të tërheqë edhe më shumë studentë ndërkombëtarë, përmes zgjerimit të ofertës akademike dhe partneriteteve ndërkombëtare.

Top Channel