“Përplasje” me Kinën, SHBA kufizon investimet në industrinë teknologjike

10/08/2023 08:26

Pekini reagoi ashpër ndaj urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan Joe Biden për të vendosur kufizime mbi investimet amerikane në disa industri të teknologjisë së lartë në Kinë.

Ashtu siç pritej, kjo lëvizje i ka rritur sërish tensionet mes Shteteve të Bashkuara, ekonomisë më të madhe në botë, dhe Kinës, ekonomisë së dytë kryesore të globit pas një periudhe qetësie relative, gjatë të cilës liderët e të dy vendeve tentuan të gjenin rrugët për të sheshuar dallimet mes tyre. Rregullat e reja do të kufizojnë investimet e Shteteve të Bashkuara në sektorë të teknologjisë së lartë në Kinë si kompjuterët kuantikë, mikroprocesorët e avancuar dhe inteligjencën artificiale, por me sa duket jo në ekonominë më të gjerë kineze, e cila së fundmi është ndeshur me vështirësi në përpjekjet për të avancuar.

Për disa investime në këta sektorë do të duhet njoftimi i qeverisë, të tjerat do të ndalohen, por detajet e urdhrit ekzekutiv nuk janë ende plotësisht të qarta. Një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington tha për agjencinë e lajmeve Reuters se Kina është “shumë e zhgënjyer” nga masa e Shteteve të Bashkuara dhe se kufizimet do të “minojnë seriozisht interesat e kompanive dhe investitorëve kinezë dhe amerikanë”.

“Kina do të ndjekë nga afër situatën. Ne do t`i mbrojmë me vendosmëri të drejtat dhe interesat tona”, tha Liu Pengyu, sipas të cilit synimi kryesor i Uashingtonit është që “Kinës t’i frebohet avancimi dhe që supremacia amerikane të zhvillohet në kurriz të të tjerëve”. “Ky është një shtrëngim i hapur ekonomik, një akt që shkel seriozisht parimet e ekonomisë së tregut dhe garës së drejtë”, tha mes të tjerash zyrtari kinez. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në SHBA, Jake Sullivan qe shprehur më herët se këto janë vetëm disa masa të posaçme dhe jo një bllokadë teknologjike.

Top Channel