Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka fajësuar sistemin e drejtësisë në vend për vrasjen në Prishtinë gjatë një sherri masiv.

“Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë”, ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.

Sipas tij, në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia.

“Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë. Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme! Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se është koha e fundit që efikasiteti i policisë në këtë segment të rritet, por mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime për këtë kontigjent kriminal.

Ai po ashtu ka shkruar se Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme.

Ministri Sveçla ka përmendur po ashtu rastin e së premtes për dënimin e përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit, duke theksuar se drejtësia nuk është shërbyer plotësisht, pasi ndëshkimi erdhi vetëm pas vdekjes së një vajze të re.

“Dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm. Megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer. Ndëshkimi erdhi vetëm pasi humbëm një jetë të re, atë të Marigonës. Duhet të humbte jetën e saj një nëntëmbëdhjetë vjeçare, dhe në mënyrën me te dhunshme, që sistemi i drejtësisë të ndjente peshën e krimit. Nuk pati ndëshkim për 135 veprat penale të mëhershme të Dardan Krivaqës. Nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë”, ka shtuar Sveçla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA