Ish-ministrja e financave Anila Denaj iu përgjigj ftesës së SPAK për të dhënë detaje mbi dosjen e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale e Partneritetit Publik Privat, firmosur në 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncensionare “Sani Srevice”.

Denaj u pyet në cilësinë e deklarueses për të dhënë versionin e saj, në lidhje me kohën kur drejtonte Fondin e Kujdesit Shëndetësor.

Gjatë vitit 2018, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor verifikoi maternitete për lindjet natyrale, për të cilat u sugjerua që të përdoreshin sete të sterilizimit me avull. Denaj, sipas burimeve të sigurta të SPAK, ka shpjeguar më pas edhe rolin që pati gjatë zbatimit të koncensionarit si ministre financash.

“Isha për të sqaruar për informacione që kam dijeni gjatë kohës që kam punuar në drejtorinë e përgjithshme të shërbimeve mbështetëse në Ministrinë e Financave në kohën që ky koncesion ka qenë në diskutim“, tha Denaj.

Dosja e sterilizimit u kallëzua gjatë 2019 nga “Nisma Thurje”, që theksoi se nga kjo kontratë po  shkaktohet shtetit dëm ekonomik. Një auditim i KLSh-së ka konstatuar se pajisje me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.

Përveç dosjeve të krimit të organizuar, në SPAK dosjet e sterilizimit dhe Check Up-it tregojnë qartësisht se temperaturat do të vazhdojnë të jenë të larta.

Top Channel