Gjykata e Tiranës la sot në fuqi masën “arrest me burg” për Dritan Goxhajn, për të cilin synohet ekstradimi në Hagë, në një proces i cili i është kërkuar Shqipërisë që ta mbikëqyrë Gjykata Speciale e Kosovës.

Në dosjen që disponon Top Channel, thuhet se fletë arrestimi nga një gjyqtar i vetëm u lëshua për Goxhajn, për shkak të një postimi datë 1 janar 2023, nëpërmjet të cilit dyshohet se zbuloi informacion të mbrojtur jo publik për dëshmitarët. Shkrimi që përmendet në dosje u publikua në llogarinë e “Facebook” me adresë Dritan Goxhaj dhe më tej artikulli u botua dhe te një agjenci lajmesh kosovare. Informacioni që u zbulua përfshin emra, të dhëna personale dhe vendbanimin e dëshmitarëve të supozuar në proceset e dhomave të specializuar.

Një paralajmërim i Goxhajt se do të zbuloheshin të dhënat personale të dëshmitarëve dhe rrethana se ai mban përgjegjësi penale, përfshihen mes shkaqeve se përse iu kërkua Shqipërisë ta arrestojë. Pasi gjykata e Tiranës la në fuqi masën e arrestit, avokati i Goxhajt këmbëngul refuzimin e ekstradimit.

“T’i dorëzohet Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, që nënkupton Holandën, nënkupton Hagën ku është vendosur selia e Dhomave Speciale, për të ushtruar të drejta në bazë të ligjit të Kosovës. Në vitin 2015 është krijuar, ratifikimi i marrëveshjes është në vitin 2013, nuk janë bërë ndryshime që të përfshijë edhe këtë pjesë lëndore, juridiksionale dhe që të jetë vepruese midis dy shteteve tona. Pra, flasim për hapat e mëtejshëm në lidhje me çfarë do të ndodhë me këtë procedurë”, shprehet avokati Bashkim Nikolla.

Shqipërisë i kërkohet gjithashtu të ofrojë ndihmë për transferimin pa vonesë të Goxhajt në Dhomat  e Specializuara të Kosovës dhe të mos ia bëjë të ditur askujt përmbajtjen e fletë arrestimit.

Për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit, çështja që po shqyrtohet në Dhomën Penale të Tiranës, mbahet me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias.

“Gjykata ka mbaruar punë, i ka dhënë vendimet. Ky ka shkruar në cilësinë e gazetarit. Në atë artikull, është referenca për mëmëdhenë, që kontribuojnë për mëmëdhenë, jo në planin ideologjik, por në planin filozofik, juridik“, thotë avokati.

I arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimi, Goxhaj dyshohet për veprat penale pengim i punës së zyrtarëve dhe frikësim i dëshmitarëve sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Arrestimi i tij ka nxitur reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku drejtuesi i saj, Faton Klinaku kundërshton arrestimin e Goxhajt.

Nga ana tjetër, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se do të bëhet ekstradimi i tij në Hagë.

“Goxhaj do të mbahet në Shqipëri, në pritje të një vendimi nga autoritetet shqiptare për transferimin e z.Goxhaj në ambientet e paraburgimit të DhSK në Hagë”, u bë e ditur nga Dhomat e Specializuara.

Kujtojmë se Goxhaj është djali i ish-zv.shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj. Ai iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë dhe ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë vitit 1999.

Top Channel