Analisti Ergys Mërtiri deklaron se Partia Demokratike është ndarë në dy parti në vetëvete, plus grupimet politike si ai i Bardhit dhe Salianjit.

I ftuar në “Top Talk”, Mërtiri theksoi se Basha tashmë e ka alibinë për rikthimin: humbjen katastrofike të Berishës dhe PD-së në 14 maji. Ai fare mirë u thotë të dyja palëve “u hapa rrugë, ju dështuat, unë po e riprovojë”, tha Mërtiri.

Sipas Mërtirit, ajo që duhet të bëjë në mënyrë urgjente PD-ja është të reformohet. “Të bëj zgjedhje, të reformojë strukturat dhe të fillojë jetën reale politike” sepse ka një vit e gjysmë që qëndron në stanjacion, u shpreh analisti.

Pjesë nga biseda:

Mërtiri: Lulzim Basha ka mëkatet e veta por unë nuk e konceptoj dot këtë retorikën që bëhet mbi heshtjen e tij. Normalisht një person që jep dorëheqjen qëndron pas kuintave. Vetëm Sali Berisha e bën këtë që jep dorëheqjen dhe është prap aty.

Një njeri që ka qenë kryetari i partisë, jep dorëheqjen dhe aspiron që të rizgjidhet kryetar i partisë, nuk mund të jetë aty ndërkohë që ka të zgjedhur një kryetar tjetër sepse dublon rolin e kryetarit tjetër. Unë do të doja që kur njëri jep dorëheqjen të mos jetë më pas prezent. Sipas logjikës time, vetëm kështu mund të funksionojnë gjërat.

Xhokaxhi: Po, por u duk sikur priti pak dështimin e 14 Majit për të vendosur që të rikthehet.

Mërtiri: Po edhe kështu mund të jetë dhe nuk përbën problem sepse është logjike. Ata i kërkuan Bashës, “largohu sepse humbe” dhe ai thotë “ok, bëjeni juve”. Këta u ngritën dhe për një vit rresht nuk mblodhën dot një mbledhje kryesie, nuk mblodhën dot Këshillin Kombëtar, nuk organizuan partinë. E lanë partinë në gjumë për një vit e gjysmë dhe çfarë solli kjo? Përfitoi Sali Berisha. I morën, filloi t’u merrte njerëzit pak e nga pak. Pra i dhanë asetet Berishës, u tërhoqën vetë dhe e lanë fushën bosh.

Berisha e mori fushën bosh, e përdori dhe rezultati ishte katastrofik më 14 maji. Tani Basha thotë “ju të dyja si palë dështuat, unë po e riprovojë sepse më larguat me idenë që unë kam sulmuar Sali Berishën në mënyrë të padrejtë, se Sali Berisha është i vetmi që mund të rrëzonte nga pushteti Edi Ramën, kur Berisha është i vetmi që dështoi dhe nuk e rrëzoi Ramën. Përkundrazi e çuan partinë drejt këtij niveli”.

Pra Basha e ka alibinë. Është i mirë apo i keq, pastaj kjo është çështje për diskutim dhe nuk e vendosim ne por demokratët. Është vota ajo që e vendos.

Unë mendoj se duhet kuptuar çfarë po ndodh dhe pse pikërisht sot. Grupi pas zotit Bardhi, ndoshta edhe Bardhi vetë, duhet të kuptojnë se kanë falimentuar politikisht. Nuk kanë më të ardhme politike, kanë shkatërruar karrierën e tyre sepse morën përsipër iniciativën për të ndryshuar partinë, goditën liderin e partisë, zgjodhën ta merrin vetë përsipër partinë dhe u përçanë brenda për brenda grupimit. Zoti Alibeaj, i cili ishte Kryetar i Komanduar, ka qenë i bojkotuar dhe i penguar nga grupe të tilla si grupi i zotit Bardhi dhe grupime të tjera për të mos bërë dot një mbledhje Kryesie.

Tani ne nuk mund të themi ashtu sikurse thonë këta që pas një viti e gjysmë partia pa asnjë aktivitet politik, ‘po ta shtyjmë edhe një vit tjetër mund të rregullohet PD-ja’.

Xhokaxhi: Pse u hoq dorë nga ai synimi i mëparshëm, ‘të bashkojmë Partinë Demokratike të jemi të fuqishëm si më parë’ e të tjera teori si këto? Dhe pse vjen ky vendim i papritur për shkarkimin e 50 mijë anëtarëve të PD duke i reduktuar në 20 mijë, të paktën sipas Jemin Gjanës. Kujt i intereson kjo?

Mërtiri: Unë nuk e di ku janë këto 50 mijë anëtarët e shkarkuar. Mesa di unë nuk ka pasur nonjëherë 50 mijë anëtarë PD-ja, por edhe në qofshin llogjikisht me ça kemi dëgjuar gjithmon ka qenë një problem i Partisë Demokratike se në lista figuronin shumë anëtarë që nuk ishin aktiv.

Një pjesë e mirë nuk ishin fare në Shqipëri, një pjesë kanë shkuar në parti të tjera, një pjesë janë mërzitur, por nuk kanë bërë tërheqje. Ai që mërzitet me partinë, thjesht nuk shkon më në takime dhe emri mbetet aty prej vitesh pa qenë anëtarë aktiv. Kjo është bërë jo vetëm për faktin se një pjesë e mirë kanë qenë anëtarë inaktivë, por edhe sepse ishte e nevojshme që listat e reja të mos kishin brenda njerëzit që kanë shkuar tashmë tek Partia e Sali Berishës apo te ish LSI-ja. Dhe kjo është logjike sepse duhet kuptuar dhe pranuar se kemi dy parti brenda PD-së. Është partia e zotit Berisha dhe partia e zotit Basha, në qoftë se do të fitoj apo kujtdo tjetër që do e trashëgojë këtë fraksion të PD-së.

Xhokaxhi: Edhe një fraksion që mund të shtohet në parti i zotit Bardhi?

Mërtiri: Kemi edhe dy grupe të vogla në parti. Grupi i Salianjit dhe i zotit Bardhi që gjithashtu garojnë sa në njërën sa në tjetrën palë.

Xhokaxhi: Jo, Salianji është instaluar, të paktën nga qëndrimet…

Mërtiri: Nuk më duket akoma. Të paktën nuk e shoh të pozicionuar në mbledhjet e Berishës. Ndoshta, nuk e di. Gjithsesi, ajo që duhet të bëjë Partia Demokratike në mënyrë urgjente është të reformohet.Të bëj zgjedhje, të reformojë strukturat dhe të fillojë jetën reale politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA