Kthimi i Shqipërisë në një destinacion të preferuar nga turistët tashmë është kthyer në një fakt të padiskutueshëm.
Edhe shifrat tregojnë që çdo muaj rritet numri i të huajve që vijnë në vendin tonë. Vetëm në muajin qershor në Shqipëri kanë hyrë 1 milion shtetas të huaj, një rritje prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në gjysmën e parë të vitit shifrat po ashtu janë optimiste, duke arritur nivele të reja. Në 6 muaj në Shqipëri kanë ardhur 3.4 milionë të huaj. 33% më shumë se 6 mujori i parë i 2022-shit.
Sa i përket qershorit, më shumë të huaj kanë ardhur nga Europa, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori.
Në Qershorin e 2023-shit, krahasuar me atë të vitit paraardhës, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur me 59% për biznes dhe qëllime profesionale. Me 14,6% për qëllime personale dhe me 12,8 % për pushime apo vizitë tek të afërmit.
Në rritje po ashtu është edhe numri i shtetasve shqiptarë që kanë ardhur ne vend, 574.698 vetëm në qershor.
Ky pritet të jetë viti më i mirë përsa i përket turizmit, ku gjasat janë që do të thyhet edhe rekord i vendosur vjet prej 7.5 milionë turistë. Bukuritë natyrore që ofron vendi ynë por edhe çmimet ekonomike tërheqin te huajt që pushimet ti kalojnë tek ne. Edhe jehona në revistat ndërkombëtare që i është bërë peisazheve të vendit tonë, ka luajtur rol të rëndësishëm në promovimin e Shqipërisë.
HYRJET E SHTETASVE TË HUAJ SIPAS RAJONIT
Evropa: 954.389 shtetas të huaj
Amerika: 30.082 shtetas të huaj
Azia Lindore dhe Paqësori: 8.971 shtetas të huaj
Top Channel