Biden përshëndet unitetin e NATO-s ndërsa thellohet konflikti në Ukrainë

13/07/2023 15:52

Në përfundim të takimit dy-ditor të nivelit të lartë në Vilnius të Lituanisë, Presidenti amerikan Joe Biden mbajti një fjalim ku theksoi se Uashingtoni dhe aleatët e tij po mbështesin Ukrainën, duke mbrojtur vlerat demokratike dhe duke ndërmarrë veprime për të zgjidhur sfidat globale.

Dhe një paralajmërim i ashpër për Moskën: “Putini ende ka bindjen e gabuar se ai mund të vërë nën kontroll Ukrainën. Ai nuk e pranon se është toka, vendi dhe e ardhmja e tyre. Edhe pas gjithë kësaj kohe, Putini ende dyshon në qëndrimin tonë. Ai vazhdon ta ketë gabim”.

Ishin këto dy mesazhe nga presidenti amerikan Joe Biden në fjalimin e tij në fund të atij që ai e quajti një takim “historik” të NATO-s në kryeqytetin e Lituanisë ku u përsërit mbështetja që Kievi të bashkohet me aleancën – por jo angazhime konkrete apo një afat që kërkohet nga Ukraina.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy foli në mbyllje të takimit të NATO-s.

“Mendoj se në fund të takimit ne pamë një unitet të madh tek udhëheqësit tanë dhe garanci sigurie. Ky është suksesi i këtij takimi.”

Zoti Zelenskyy, i cili ka udhëtuar në shumë vende vitin e kaluar për të marrë mbështetjen e Perëndimit, mbrojti vendimin e Uashingtonit për t’i siguruar Kievit bomba thërrmuese, të cilat janë të ndaluara nga më shumë se 120 vende për aftësinë e tyre të vrasjes pa dallim.

“Rusia përdor vazhdimisht bomba thërrmuese në territorin tonë, lufton ekskluzivisht në tokën tonë, vret njerëzit tanë dhe ka përdorur vazhdimisht municione të tilla për shumë vite”.

Presidenti Biden është në Helsinki për një takim me udhëheqësit nordikë./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA