Gjykata e Apelit Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për Elton Bengajn (Metaj), i cili është dënuar me burg përjetë për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij Sabrina Bengaj.

Gazetarja Anila Hoxha bën me dije se Bengaj do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

Si ndodhi ngjarja?

Elton Bengaj (Meta) dhe Sabrina Bengaj kanë lidhur martesë në vitin 2017, martesë nga e cila është sjellë në jetë vajza e tyre. Bashkëjetesa midis tyre është ndërprerë në vitin 2020, për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike të ushtruar nga bashkëshorti Elton Bengaj ndaj Sabrinës e cila së bashku me vajzën e mitur është zhvendosur në banesën e prindërve të saj në fshatin Zhupan, Fier. Edhe pas ndërprerjes së bashkëjetesës të tyre, Elton Bengaj ka vazhduar të ushtrojë dhunë ndaj Sabrinës.

Rezulton se, ai ka kërcënuar me armë kallashnikov Sabrinën dhe familjen e saj, fakt për të cilin ai është arrestuar nga policia më datë 19.09.2020.  Një muaj më pas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, mbi bazën e kërkesës së paditëses Sabrina Bengaj, ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes për paditësen, me efekt shtirje deri më datë 14.10.2021, duke urdhëruar të paditurin Elton Bengaj  të mos cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo të komunikojë drejtpërdrejt ose tërthorazi, si dhe të mos kryejë vepër penale të dhunës në familje ndaj paditëses Sabrina Bengaj.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin e datës 21.02.2021 ka vendosur zgjidhjen e martesës. Mbrëmjen e datës 10.09.2021, ish-bashkëshorti Elton Bengaj ka hyrë në banesën e prindërve të ish-bashkëshortes me një armë zjarri kallashnikov në dorë.

Pas kërkesës së Sabrinës për t’u sqaruar jashtë banesës, për të mos shqetësuar familjarët, i pandehuri Elton Bengaj e ka qëlluar disa herë me armë pas shpine ish-bashkëshorten (për të cilën ishte nxjerrë një urdhër mbrojtje nga Gjykata) dhe është larguar me motor me shpejtësi, ku është kapur më pas nga policia pas kërkesës së të atit të tij dhe policisë për t’u dorëzuar.

Top Channel