Dajë e nip kultivonin kanabis në Shkodër! I riu kërcënoi policinë me armë zjarri që të mos asgjësonin bimët

24/06/2023 11:46

Dajë e nip, Gj. M., 54 vjeç dhe F. K, 24 vjeç, janë vënë në pranga nga Policia e Shkodrës për kultivim kanabisi dhe për armëmbajtje pa leje.

24-vjeçari, kur ka parë se efektivët e Policisë po futeshin në banesën e dajës së tij, ka shkuar në drejtim të kësaj banese, me një armë zjarri në dorë, për të kundërshtuar kontrollin e banesës si dhe që shërbimet e Policisë të mos asgjësonin bimët narkotike të kultivuara nga ai dhe daja.

Ai u neutralizua ndërsa gjatë kontrollit në banesën e dajës së tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë tjetër zjarri dhe municion luftarak.

Po gjatë kësaj faze të operacionit, Policia asgjësoi 1300 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të kultivuara nga këta 2 persona.

Gjatë fazës së pare të operacionit “Postriba”, të zhvilluar në janar të këtij viti, Policia vuri në pranga shtetasin J. K., 24 vjeç, banues në fshatin Domen, Shkodër, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 armë zjarri pushkë, municion luftarak dhe 2 radio si të Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel