Blinken e “zbuti”, habit Biden: Xi Jinping diktator/ Reagon Kina

21/06/2023 14:45
US President Joe Biden (R) and Chinese President Xi Jinping hold a meeting on the sidelines of the G20 Summit in Nusa Dua on the Indonesian resort island of Bali, November 14, 2022. (Photo by SAUL LOEB / AFP) (Photo by SAUL LOEB/AFP via Getty Images)

Anthony Blinken i uli ndjeshëm tonet me Kinën gjatë vizitës zyrtare në Pekin dy ditë më parë, ku nënshkroi marrëveshje dypalëshe e pohoi se SHBA-ja nuk kërkon shkëputjen e Tajvanit.

Por ndryshe nga ministri i tij i jashtëm, presidenti Joe Biden e fshikulloi ashpër kreun e shtetit kinez, Xi Jinping, duke e etiketuar si “diktator”. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, e cila i quajti komentet e Bidenit “qesharake”.

“Deklaratat e palës amerikane janë krejtësisht të papërgjegjshme, ato cenojnë rëndë faktet bazike, protokollin diplomatik dhe dinjitetin politik të Kinës. Ne i konsiderojmë një provokim të hapur politik”, tha Mao Ning.

Në një mbledhje fondesh mbrëmjen e së martës, Biden u shpreh se presidenti kinez ishte vënë në siklet për incidentin e balonës kineze të cilësuar nga amerikanët si mjet spiunazhi.

“Arsyeja pse Xi Jinping u mërzit shumë, për sa i përket rrëzimit të asaj balone me dy kuti plot me pajisje spiunazhi brenda, ishte se ai nuk e dinte se ajo ishte aty. Ky është një siklet i madh për diktatorët. Kur ata nuk e dinë se çfarë ka ndodhur”, u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Vizita e Blinkenit në Pekin, e para nga një diplomat i lartë amerikan në pothuajse pesë vjet, rinisi praktikisht komunikimin e nivelit të lartë mes dy vendeve, ndërsa synonte zbutjen e tensioneve mes dy superfuqive të botës.

Top Channel