Bisedimet e anëtarësimit në BE, Reuters: Ukraina ka përmbushur disa nga kushtet!

20/06/2023 09:44

Duke cituar dy burime në Bruksel, Reuters pohon se në raportin e Bashkimit Europian, që do të publikohet këtë javë, Ukraina ka përmbushur dy nga shtatë kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit, thanë për Reuters dy burime në BE.

Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i bllokut, pritet të nënvizoje përparimin e arritur nga ky vend pavarësisht se përballet ndërkohë me agresionin brutal të Rusisë.  BE-ja i dha në një lëvizje simbolike Ukrainës vitin e kaluar statusin e vendit kandidat, vetëm katër muaj pasi Rusia nisi luftën ndaj Kievit pikërisht për shkak të përpjekjeve të tij për t`u integruar në Perëndim.

Brukseli vendosi megjithatë 7 kushte, përfshirë edhe reformat në gjyqësor dhe uljen e korrupsionit endemik, në mënyrë që të nisi negociatat e anëtarësimit. Ukraina ka bërë thirrje që bisedimet të nisin gjatë këtij viti. Mbështetësit e saj gjithashtu apelojnë për një pranim të shpejtë dhe kërkojnë që 27 vendet anëtare ta marrin vendimin në muajin dhjetor.

Sipas Reuters, kriteret e përmbushura nga Ukraina deri tani lidhen me reformat në gjyqësor dhe ligjin për mediat, ndërsa raporti në tërësi konsiderohet pozitiv për Kievin. “Ka përparim. Raporti nuk zbukuron realitetin, por bën njohjen e përparimit. Për shembull, janë hedhur hapa të mëdha kundër korrupsionit”, tha njëri prej burimeve. Muajt e fundit, Ukraina ka ndjekur disa raste të profilit të lartë kundër korrupsionit, përfshirë këtu edhe arrestimin e kreut të Gjykatës Supreme nën dyshimet për ryshfet prej 2.7 milionë dollarësh.

Top Channel