Anëtari i MEK ndërroi jetë/ Rrumbullaku: Gjatë sulmit ndodhej në qendër emergjence, pas ekspertizës do nxirrni konkluzione

20/06/2023 17:47

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, gjatë konferencës pas ngjarjes së sotme në kampin ASHRAF, ka dhënë detaje nga operacioni.

Ai ka deklaruar se në fillim është marrë aprovimi nga 6 drejtuesit e kampit, dhe pas 2 orësh kontrolle, në momentin që janë konstatuar parregullsi, ka nisur rezistenca e organizuar nga anëtarët e kampit.

Rrumbullaku tha me siguri të plotë se nuk është ushtruar dhunë ndaj anëtarëve të MEK ndërsa bilanci i policëve të plagosur tha se është 15.

Në lidhje me personin që ndërroi jetë, Rrumbullaku tha se gjatë sulmit ka qenë në një qendër emergjence ndërsa konkluzionet do ti mësojmë pasi të dalë ekspertiza.

“Në orën 8 të mëngjesit, së bashku me disa drejtues të nivelit të lartë kemi thirrur në takim 6 drejtuesit e kampit MEK. Gjatë një ore kemi sqaruar detajet për vendimin e gjykatëse, qëllimin për të cilin motivohej kontrolli. Kemi gjetur mirëkuptimin e tyre në momentet e para, ku pas takimit zyrtar jemi adresuar në hyrje të kampit, ku kemi kërkuar hapjen e portave. Bashkë me drejtuesit jemi futur në ambientet e të gjithë territorit. Pas këtij momenti ka nis kontrolli në ambiente, ku për rreth 2 orë të kontrollit, pasi nga ana jonë u konstatua paligjshmëri në raport me kërkesat e vendimit të gjykatës sa i takon evidentimit të sallave të serverëve dhe pajisjeve kompjuterike, nisi rezistenca e organizuar e kampit MEK. I vetmi mjet për realizimin e qëllimit të gjykatës kanë qenë sprajtët individualë të efektivëve të policisë së shtetit. Nga gjithë kjo përballje policia mbeti viktimë e dhunës së tyre, dhe jo rezidentët. Nga ana jonë është përdorur vetëm spraji që nuk ka sjellë asnjë pasojë te rezidentët. Kemi të dëmtuar 15 punonjës policie. Janë dëmtuar 21 shtetas, ku 15 prej tyre kanë lënë qendrat spitalore dhe janë rikthyer në vendbanimin e tyre. Veprimet e policisë kanë qenë totalisht të ligjshme, pa kaluar asnjë limit. NË tërësinë e veprimeve të kryera nga policia, janë sekuestruar 96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, 3 karta memroje dhe materiale të bollshme që u tentua të asgjësoheshin me djegie nga anëtarët e MEK. Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për kundërshtimin me dhunë të kontrollit të policisë së shtetit. Në qendrën e emergjencës së tyre ndodhej banori që ka ndërruar jetë. Gjatë kohës që kryeheshin veprimet, nga drejtuesit e MEK jam bërë me dije se në qendrën e emergjencës ndodhej një banor i tyre. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, OPGJ të Durrësit, për të shmangur konfliktin e interesit të Policisë. Por ju siguroj që pas daljes së ekspertizës do të nxirrni konkluzionin tuaj.“- tha Rrumbullaku.

Top Channel