Kompania Krolbay dhe grupi Hyatt Hotels Corporation hapën zyrtarisht resortin Hyatt Regency Kotor Bay.

Ky është hoteli i parë Hyatt në Mal të Zi dhe do t’u ofrojë mysafirëve mundësinë të përjetojnë peizazhin dramatik të Gjirit të Kotorit në një mjedis të krijuar për të ofruar rehati dhe shërbim të përsosur.

“Me ardhjen e Hyatt në Mal të Zi, ne i krijojmë vlerë të shtuar vendit tonë si destinacion turistik dhe besojmë se do të shërbejë si nxitje edhe për të tjerët. Së bashku, vazhdojmë punën për të rritur nivelin e shërbimit në mënyrë që në vitet në vijim, të mbetemi një nga destinacionet turistike më të dëshirueshme”, tha Saša Saveljić, Drejtor Ekzekutiv i kompanisë Krolbay sh.p.k,  e cila ka në pronësi dhe menaxhon resortin.

Në ceremoninë madhore të hapjes morën pjesë një numër i madh personalitetesh nga fusha politike, ekonomike dhe kulturore, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik.

Zëvendëspresidenti i Zhvillimit të Hyatt për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, Takuya Aoyama, tha se ishte shumë i kënaqur që kishte mundësinë për të vizituar Ballkanin.

“Ballkanasit janë mikpritës të shkëlqyer. Ata janë të sjellshëm, mikpritës dhe krenarë. Ushqimi këtu mund të vonohet, por njerëzit dinë të shijojnë momentin dhe duan që edhe ju të jeni të lumtur. Ata nuk do t’ju lënë kurrë të uritur. Ata nuk e kanë problem nëse pini, për sa kohë pini gjënë e vërtetë. Unë këtë e quaj mirësi ballkanike. Mikpritje miqësore, profesionale dhe argëtuese që nuk do ta gjeni askund tjetër. Më vjen shumë mirë që të gjithë kolegët dhe të ftuarit mund ta shohin këtë”, tha Aoyama.

Kryeministri Dritan Abazoviç tha se ishte një moment historik.

“Hyatt zgjodhi vendin më unik. Mali i Zi dhe Kotori nuk kanë nevojë për reklama të veçanta. Ky është vendi që shet kujtimet më të mira. Ishte e nevojshme të kishim një vizion si familja Mišković, që të dihej se një hotel i tillë duhet të ekzistojë në Mal të Zi. Le të jetë hapja e Hyatt-it të parë vetëm një fillim i mbarë për hapje të tjera të këtij niveli. Qeveria mbështet të gjithë ata që kanë një vizion të shëndetshëm”, tha Abazovic.

Kryetari i komunës së Kotorit, Vladimir Jokić, tha se hapja e resortit të parë të Hyatt është një privilegj dhe momenti më i rëndësishëm për industrinë e turizmit në Kotorr në 40 vitet e fundit.

“Kotori do të vazhdojë të përhapë dritën e tij. Kjo është një histori që do ta shohë e gjithë bota”, shtoi Jokić.

Resorti Hyatt Regency Kotor Bay, i vendosur në Kepin e Markovit, në një vend të njohur si një resort natyror, është hapësira e përsosur për pushim dhe relaksim, në një atmosferë unike harmonie me natyrën. Një dizajn bashkëkohor, ekologjik dhe harmonia e hapësirave të jashtme dhe të brendshme ishin fokusi kryesor në krijimin e konceptit të këtij hoteli.

“Jemi shumë të lumtur që kemi huazuar elementë nga natyra në të cilën do të ofrojmë një botë relaksi dhe paqeje për mysafirët tanë, si dhe anëtarët e programit të besnikërisë World of Hyatt, të cilët kanë mundësinë të përjetojnë mikpritjen e një markë të mirënjohur në një destinacion të ri. Çdo cep i resortit është konceptuar dhe krijuar për të nxjerrë në pah fuqinë e pastër të natyrës që rrethon hotelin, duke krijuar kështu një përvojë të pakrahasueshme, pa stres për pushuesit”, tha Saveljić.

Për më shumë informacion dhe rezervime, vizitoni faqen e internetit të Hyatt Regency Kotor Bay Resort ose ndiqni @hyattregencykotorbayresort në Instagram.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel