Shqetësuan pushuesit me muzikë të lartë, ndiqen penalisht muzikanti dhe pronari i hotelit në Durrës

10/06/2023 10:48

Prishja e qetësisë publike nga muzika me volum të lartë, në një hotel në plazh çoi në procedim penal pronarin e hotelit Angjelin A. dhe muzikantin, si dhe u sekuestruan pajisjet muzikore.

Shërbimet e Policisë kanë konstatuar muzikë të lartë që përbënte shqetësim për banorët dhe pushuesit në Shkëmbin e Kavajës dhe kanë bërë sekuestrimin e pajisjeve që gjeneronin muzikën.

Në vijim të hetimeve u proceduan në gjëndje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetesisë publike”,  shtetasit: A. A., 40 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, pronari i hotelit dhe Xh. I., banues në Korçë, muzikant.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

“Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të ndotjes akustike, shërbimet e policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.”-thotë policia.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel