Vrau Elton Çiçon 7 vite më parë/ Apeli i Posaçëm lë në fuqi vendimin e GJKKO-së, konfiksohen pasuritë e Jani Alias

09/06/2023 09:30

Pasuritë e Jani Alias janë konfiskuar pasi Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së.

Pesë bizneset, tre prej tyre në Gjirokastër, një ullishte dhe një vilë në Borsh i kanë kaluar shtetit. Alia i kishte të regjistruara pasuritë në emër të familjarëve të tij, L. Alia dhe N. Alia.

Njoftimi i plotë

Gjykata e e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.73 datë 09.05.2023 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.53 datë 28.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë me objekt konfiskimin e pasurive të subjektit të Aktit Normativ nr. 1 datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit të sigurisë publike”, të ndryshuar, në lidhje me subjektin Jani Alia dhe personave të tretë të lidhur me të.

Me vendimin nr.53 datë 28.12.2022 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (vendim i lënë në fuqi me vendimin nr.73 datë 09.05.2023 të Gjykatës së Apelit), ndërmjet të tjerave ka vendosur:

Konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit të pasurive të sekuestruara me vendimin nr.152 datë 30.09.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:

1. Pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 27 m2, në emër të shtetases L. Alia, e fituar me kontratën e shitjes në shumën 29.000 (njëzetë e nëntë mijë) Euro;

2. Pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 38.15 m2, në emër të shtetases L. Alia, e fituar me kontratën e shitjes në shumën 41.000 (dyzetë e një mijë) Euro;

3. pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 26.4 m2, me adresë “Palorto” Gjirokastër, në emër të shtetasit N. Alia;

4. pasuria e llojit Njësi me sipërfaqe 130 m2, me adresë Lagjia Palorto Gjirokastër, në emër të shtetasit N. Alia;

5. Objektin në proces legalizimi në emër të shtetasit N. Alia, me adresë Palorto, Gjirokastër;

6. Pasuria e llojit ullishte, me sipërfaqe 200 m2, në emër të shtetasit N. Alia, me adresë Borsh, Sarandë;

7. Objektin Vila “Kav…….”, në proces legalizimi në emër të N. Alia etj, me adresë Borsh, Sarandë.

Kush është Jani Alia?

Jani Alia është i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Elton Çiços në zonën e ish-bllokut në Tiranë më 1 maj 2016. Sipas OFL-së, ndaj Jani Aliaj, ka edhe një masë arresti me burg dhënë nga Gjykata e Përmetit, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Dyshohet e hasmëria mes tyre ka nisur që në Greqi, ku ndodheshin në të njëjtin burg.

Top Channel