Nikolla Sherrniku, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Mimoza Pajës në Don Bosko, është lënë në burg

Gjykata caktoi masën “arrest me burg” për Sherrnikun, që akuzohet se ka siguruar targat e mjetit që u përdor në masakrën e muajit mars në zonën e Don Boskos në kryeqytet.

I riu në gjykatë ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. Ai ndodhet në qeli që prej muajit gusht të vitit të kaluar, pasi u kap në Shëngjin me armë dhe municione, ç’ka krijoi dyshimet për policinë se ishin nisur për të bërë një atentat gjë që nuk u faktua.

Po ashtu, Sherrniku ka qenë i dyshuar si i përfshirë edhe në vrasjen e efektivit të FNSH Xhulio Prela.

Për të mbërritur tek emri i Nikoll Shërnikut, policia nuk e kishte të lehtë. Fillimisht nga kontrollet në terren policia zbuloi se targat e përdorura në makinën e vrasësve ishin të regjistruara në emër të një personi nga Kosova. Pas bashkëpunimit me autoritetet kosovare u mor dëshmia e tij, ku tha se targat i kishte çmontuar në një servis në Gjermani pas çregjistrimit. Nga shkëmbimi i letër porosive me Gjermaninë rezultoi se kjo targë i ishte dorëzuar Nikoll Shernikut.

Pavarësisht këtyre provave Sherniku ka mbajtur qëndrim mohues duke mos pranuar as pronësinë e targave dhe as lidhjet më grupin kriminal që kreu vrasjen.

Mbrëmjen e 12 marsit, persona të paidentifikuar u pozicionuan para lokalit të familjes Murati në rrugën Anastas Shundi dhe hapën zjarr drejt tavolinës ku ishte ulur vëllai i Fation Muratit, xhaxhai dhe kushëriri i tij duke qëlluar se paku 15 plumba kallashnikovi. Këto të shtëna rezultuan fatale për 58-vjeçaren Mimoza Paja, e cila punonte si banakiere në këtë lokal për të mbajtur familjen. Ndërsa të plagosur mbeten xhaxhai i Fatjon Muratit si dhe 4 klientë që u gjendën rastësisht në vendin e ngjarjes. Ndërsa i vëllai dhe kushëriri nuk pësuan lëndime.

Pas ngjarjes në afërsi të fshatit Bubq autorët braktisën makinën tip “BMW”, së bashku me armët e krimit në të dhe i vunë flakën.

Top Channel