Seanca plenare e kësaj të enjteje ka nisur me interpelancë me ministren e Arsimit Evis Kushi mbi vendimin për të bashkuar Albanologjinë me Akademinë e Shkencave.
Sipas deputetes Ina Zhupa, ky vendim u mor me kërkesë të Skënder Gjinushit, që drejton Akademinë e Shkencave.
“Gjinushi nuk e fshehu kurrë që donte ta mbyllte Akademinë e Studimeve Albanologjike. Reformat në këtë vend na i bëka Gjinushi, paskemi atë akoma ministër arsimi. Ndryshe nga sa është shprehur Kushi, kur vlerësonte Albanologjinë. Bëtë një VKM për të shkrirë Akademinë e Studimeve Albanologjike.
Po shkelni Kushtetutën, shkelni ligjet, shkelni Akademinë e Studimeve Albanologjike. Ju po i bëni vasal të Skënder Gjinushit”.
Ndërsa ministrja Kushi, në fjalën e saj, tha se vendimi parashikon riorganizim të Albanologjisë, nuk është shkrirje, ndërsa akuzoi Zhupën se ka ofenduar akademikët.
“Ju shpesh herë jeni drejtuar me fyerje për Akademinë. Keni thënë që është akademia e ish-politikanëve të dalë në pension, nën tutelën e Skënder Gjinushit. Nëse i qëndroni sërish kësaj deklarate, ju po i fyeni ata.
Akademikë të nderuar që i bëjnë nder të gjithë vendit, si mund të fyhet një institucion i tërë nga urrejtja personale që keni ndaj njërit prej tyre. Kryetari i Akademisë së Shkencave është zgjedhur nga vetë votat e akademikëve, është i zgjedhur në mënyrë legjitime.
Vendimi parashikon riorganizim të Albanologjisë, nuk është shkrirje”
Pasi renditi shkeljet që, sipas Kushit, janë evidentuar në raportin vjetor të këtij Institucioni, lidhur me mënyrën sesi janë bërë emërimet deri te paligjshmëria në funksionimin administrativ dhe shkencor, ministrja shtoi se pavarësisht kësaj këta studiuesit nuk janë hedhur në rrugë por po punohet që ata të bëhen pjesë e departamenteve të Akademisë së Shkencave dhe institucioneve të tjera shkencore.
“Ju thoni i keni bë nder Gjinushit a thua se ai do ta marrë në shtëpi”, iu përgjigj ajo akuzave të opozitës.
“Dua të ritheksoj se pjesa më e madhe e punonjësve të Institutit të Albanologjisë janë dakord me vendimin.
“Pjesa më e madhe janë pro këtij vendimi sepse ata janë bashkëpunëtor me Akademinë e Shkencave në shumë projekte. Unë kam nderimin më të madh për të gjithë ata studiues, sepse ata janë studiues të nderuar por ata kanë dështuar ta sjellin atë institucion në rrugët ligjore. Kërkesa që më kanë bërë është ‘si bëtë një ligj për Akademinë bëni dhe një për Institutin Albanologjik. Nuk bëhen ligjet sipas institucioneve.
Deklaratat tuaja janë vetëm politike, por nuk bazohen në shkresa. Si e interpretoni ju që ata nuk kanë asnjë akademi. Thoni që ata kanë kërkuar të hapin programe, por i ka penguar Ministria. Programin e hap vetë departamenti.
Ministria e Arsimit e ka detyrim ligjor që të bëjë kontrollin e ligjshmërisë në çdo institucion arsimor. Ka parë shkelje, nuk ka audit, nuk kanë as regjistra. Janë renditur të gjitha shkeljet që janë gjetur në këtë institucion. Si rrjedhojë, u mor vendimi për ta bashkuar Akademinë e Shkencave me Albanologjinë”.
Top Channel