Drejtonin mjetin të dehur, arrestohen 5 persona në Durrës! 179 të ndëshkuar për parakalime të gabuara

08/06/2023 13:02

Në zbatim të planit të masave, të hartuar me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lehtësimin e lëvizjes për shoferët gjatë sezonit turistik, Policia e Durrësit ka intensifikuar kontrollet dhe monitorimet në të gjitha akset e qarkut, duke përdorur radarë, dragera, kamera dhe makina inteligjente.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se, si rezultat i kontrolleve javën e fundit janë arrestuar 5 persona për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe një tjetër sepse rezultonte pa leje drejtimi.

Po ashtu, janë ndëshkuar 179 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara, 16 për drejtim mjeti duke përdorur celularin, 9 për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 26 drejtues mjetesh për mosvendosje të rripit të sigurimit.

Sakaq, blutë e Durrësit kanë ndëshkuar me masë administrative edhe një drejtues motomjeti për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.

Policia e Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, si dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.

Top Channel