Arkeologët amerikanë kundër shkrirjes së Albanologjisë, i dërgojnë letër qeverisë: Jemi të shqetësuar!

08/06/2023 09:14

Arkeologët amerikanë që punojnë në universitetet e SHBA kanë shprehur përmes një letre kundërshtinë e tyre në lidhje me shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA).

Përmes letrës, ata i bëjnë thirrje qeverisë që ta rishikojë këtë vendim dhe shprehen të nderuar për bashkëpunimin që kanë bërë ndër vite me arkeologët shqiptarë.

Ne, të nënshkruarit, me këtë letër shprehim kundërshtimin tonë të fortë ndaj planit të njëanshëm të qeverisë shqiptare për shpërbërjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), duke përfshirë Institutin e Arkeologjisë dhe për ta rikrijuar atë në kuadër të Akademisë së Shkencave.

Ne jemi arkeologë që punojmë në universitete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose në institucione të lidhura me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi kryer kërkime arkeologjike të përbashkëta në Shqipëri, duke punuar me arkeologë nga Instituti i Arkeologjisë, disa prej nesh për shumë dekada. Kështu që ne ndihemi të kualifikuar për ta gjykuar këtë plan dhe efektet e tij të mundshme në praktikën e kërkimit arkeologjik në Shqipëri në përgjithësi dhe në bashkëpunim me arkeologët amerikanë në veçanti.

Jemi veçanërisht të shqetësuar:

SE arkeologët e Institutit të Arkeologjisë nuk janë konsultuar rigorozisht lidhur me këtë plan, i cili do të ndikojë fuqishëm tek ata dhe tek aftësia për të kryer punën e tyre;

SE zhvendosja e ASA-s dhe Institutit të Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave pa marrëveshje të ndërsjellë, do të shtojë një shtresë burokracie më shumë dhe mbikëqyrjeje, duke e mbytur lirinë akademike dhe kërkimin inovativ; dhe

SE efektet e këtij plani në burimet, buxhetet dhe personelin e Institutit të Arkeologjisë nuk janë bërë të ditura plotësisht.

Për këto arsye, ne e nxitim fuqimisht qeverinë shqiptare të rishqyrtojë planin në lidhje me të ardhmen e ASA-s dhe në vend të kësaj të angazhojë anëtarët e saj në diskutime të hapura për mënyrën më të mirë për t’i mbështetur ata, me qëllim që studimet albanologjike në Shqipëri, përfshirë arkeologjinë, të arrijnë potencialin e tyre të plotë.

Në vitet e fundit, arkeologjia shqiptare, e udhëhequr nga arkeologët e Institutit të Arkeologjisë, ka zënë më në fund vendin e saj të merituar në skenën ndërkombëtare. Ne jemi të shqetësuar se zhvendosja e ASA-s në Akademinë e Shkencave do të prishë këtë sens të ri të vrullit.

Në vitin 2021 u nënshkrua me Shtetet e Bashkuara Marrëveshja e Pronës Kulturore për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike shqiptare. Ky memorandum do të sjellë jo pak interes dhe investim për arkeologjinë shqiptare nga ana e arkeologëve amerikanë. Si kundërpërgjigje, qeveria shqiptare duhet të zgjerojë mundësitë për bashkëpunim ndërmjet amerikanëve dhe arkeologëve shqiptarë, në kuadër të një instituti të pavarur kushtuar kërkimit të pastër arkeologjik, duke mos kufizuar mundësi të tilla.

Në të vërtetë, kur realizohen mundësitë për bashkëpunim të hapur mes arkeologëve amerikanë dhe shqiptarë, ndodhin gjëra të mira. Për shembull, artefaktet shqiptare janë paraqitur dukshëm në “Mbretërit e Parë të Evropës”, një ekspozitë ndërkombëtare që u hap kohët e fundit në Muzeun e Historisë Natyrore në Çikago, Illinois. Çdo komb i Ballkanit merr pjesë në këtë ekspozitë, përfshirë Shqipërinë, dhe pjesëmarrja e Shqipërisë nuk do të kishte ndodhur pa lidhjet e krijuara midis arkeologëve amerikanë dhe shqiptarë në Institutin e Arkeologjisë. Sipas mendimit tonë, duke pasur parasysh suksesin e kësaj ekspozite, Instituti i Arkeologjisë, stafi duhet të ishte vlerësuar për punën dhe përkushtimin e tij të palodhur, jo t’i nënshtrohej një plani për shpërbërje dhe riorganizim, për të cilin ata vetë nuk kanë rënë kurrë dakord.

Për ta mbyllur, e shkruam këtë letër sepse mbetemi të emocionuar dhe të përkushtuar ndaj arkeologjisë shqiptare. Kolegët tanë në Institutin Shqiptar të Arkeologjisë kanë ndarë me ne trashëgiminë e jashtëzakonshme arkeologjike të Shqipërisë, duke na lejuar që të marrim pjesë në studimin e saj, një nder dhe privilegj që nuk mund ta shpërblejmë kurrë plotësisht. Shpresojmë që plani për transferimin e ASA-s në Akademinë e Shkencave do të rishqyrtohet dhe në vend të tij do të ndiqet një dialog i sinqertë për të ardhmen e arkeologjisë shqiptare, duke përfshirë arkeologët nga Instituti i Arkeologjisë”, thuhet në letër.

Top Channel