“Trupin e zhduka me acid”/ Gjenden eshtrat e 22-vjeçares shqiptare të zhdukur në vitin 2014, dëshmia tronditëse e vrasësit

07/06/2023 11:37

Eshtrat e shqiptares Sibora Gagani e zhdukur në vitin 2014 janë gjetur nga policia spanjolle.

Policia Kombëtare ka gjetur të martën trupin e Sibora Gaganit në banesën që ajo ndante me partnerin e saj, Marco Romeo në Torremolinos.

Romeo u arrestua në fund të majit për vrasjen e një vajze tjetër, Paulas, ish-partneres së tij, në të njëjtin qytet, bënë të ditur burimet për mediat spanjolle.

Kërkimi për Sibora Gaganin rinisi pas arrestimit në maj të vrasësit.

Pas arrestimit për vrasjen e ish-partneres së tij, Marco Romeo rrëfeu se kishte vrarë dhe varrosur  Gaganin pasi kishte parë një foto të tij në një tabelë njoftimesh në komisariat, ndërsa deklaroi se kishte përdorur acid për të zhdukur trupin.

Agjentët kanë gjetur eshtrat e Gaganit në një qese plehrash pas një muri të banesës së saj në Torremolinos, ku e reja jetonte me të arrestuarin deri disa ditë para zhdukjes, banesë e cila ndodhet në rrugën García de la Serna, pak metra larg stacionit të policisë lokale dhe bashkisë.

Policia kishte kontrolluar disa herë, por pa sukses banesën e Torremolinos, ku aktualisht jetojnë qiramarrës të tjerë, të cilët kanë bashkëpunuar gjatë gjithë kohës me agjentët.

Eshtrat e gjetura janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Malaga për të konfirmuar se i përkasin të resë së zhdukur, përmes analizave të ADN-së.

Sibora Gagani u transferua me të dashurin e saj Marco Romeo në Costa del Sol në vitin 2011 dhe u zhduk më 7 korrik 2014, pak pasi ndërpreu marrëdhënien e saj me të.

Që atëherë, familja e saj, e cila banon në Itali, nuk e ka ditur vendndodhjen e së resë. Hetimi për zhdukjen e saj rifilloi vetëm pak ditë më parë, pasi Marco Romeo u arrestua pasi vrau me thikë ish-partneren e tij Paula, 28 vjeç, në një shtëpi tjetër në Torremolinos. Pas dëgjimit të këtij lajmi, të afërmit e Siborës dyshuan se ai kishte lidhje me zhdukjen e saj, siç rezultoi në fund.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel