Shiste kanabis në Himarë, vihet në pranga një 27-vjeçar dhe një tjetër nën hetim

07/06/2023 14:14

Një 27-vjeçar është vënë në pranga pasi u kap duke shpërndarë kanabis në qytetin e Himarës.

Nën hetim është vënë edhe një person tjetër i cili e kishte akomoduar në banesën e tij 27-vjeçarin që qëndronte në Himarë si punëtor sezonal.

Gjatë kontrollit fizik, në çantën e 27-vjeçarit janë gjetur rreth 50 doza kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 10 000 lekë të reja, 1 grirëse për lëndë narkotike dhe 2 celularë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit D. Dh., 25 vjeç, ku ishte akomoduar përkohësisht 27-vjeçari, u gjet dhe u sekuestrua 1 armë e ftohtë (thikë).

Dyshohet se ai kishte ardhur si punëtor sezonal në qytetin e Himarës, ishte akomoduar në banesën e të afërmit të tij dhe shpërndante doza të kanabisit, kryesisht për turistët, në lokalet e natës, në këtë zonë bregdetare.

Si rezultat i 2 fazave të mëparshme të këtij operacioni, të finalizuara gjatë kësaj jave, janë arrestuar 5 persona, 2 prej të cilëve shtetas anglezë dhe i janë sekuestruar doza kanabisi, kokaine dhe ekstazi, si dhe shuma parash në euro, lekë dhe paund.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel