Kjo godinë në lagjen nr 5 në Durrës, që tashmë prej vitesh është shpallur e pa banuar është një nga arsyet pse ish-kryebashkiaku Vangjush Dako qëndron pas hekurave me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Pallati nisi të ndërtohej në vitin 2012, i projektuar për 7 kate por përfundoi me 11 kate duke shkelur çdo rregull Teknik dhe studimi gjeologjik. Pavarësisht kësaj pallati u kolaudua dhe iu shit qytetarëve në vitin 2014.

Dhjetëra qytetarë hodhën kursimet e jetës duke blerë apartamente në këtë pallat në lagjen nr 5 në Durrës por duke i besuar edhe shtetit pasi pallati ishte me leje dhe i kolauduar. Por, shfrytëzimi i këtij pallati zgjati vetëm 5 vite  pasi me lëkundjet e tërmetit të 2019 u shpall i pabanueshëm .

Bashkim Gjika është një prej banorëve që prej vitesh endet me qira në zonën e Kënetës, pasi dy apartamentet e blera që në gropë me rreth 80 mijë eurot e fituara në emigrim, janë të pabanueshme. Për cilësinë e dobët të punimeve, ai kallëzoi ndërtuesin Fiqiri Farruku, 1 vit para tërmetit.

“Bëra një skanim të pallatit se nuk më pëlqenin punimet. Doli se pallati nuk kishte pilota dhe në themele kishte vetëm 80 cm beton”, u shpreh Gjika.

Ish-kryebashkiaku i Durrësit dyshohet se ka shpërdoruar detyrën edhe në fondet e lëvruara për një shëtitore që nuk u realizua kurrë.

Për pallatin në plazhin e Currilave, ish-kryebashkiaku i Durrësit kishte firmosur për lëvrimin e një shume parash për një vepër publike e cila mbeti vetëm në letër. Dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit në këtë rast llogaritet rreth 20 milionë lekë ndërsa taksapaguesit nuk përfituan asgjë.

Top Channel