Avdi dhe Vere Metalla nga fshati Fullqet në Klos, prej thuajse tre dekadash janë të ngujuar me dy fëmijët e tyre me probleme të shëndetit mendor, në këtë dhomë të mbushur me mjerim dhe shpërfillje.

Për ta nuk ka asnjë ditë normale. Nuk shkojnë në asnjë dasmë apo festë familjare, madje edhe në raste vdekjeje shkojnë shumë rrallë. Iu duhet të kujdesen për fëmijët e tyre.

Djali 27 vjeç, pësoi një temperaturë të lartë pak pasi mbushi 1 vjeç, duke mbetur përjetësisht i paaftë dhe ngujuar pas këtij krevati. Vajza këtë vit mbush të 18-at, ka lindur me paaftësi intelektuale.

Ata nuk janë të aftë të kujdesen për veten e tyre, madje as të kryejnë nevojat personale bazike. Si pasojë ato kanë nevoja të jashtëzakonshme për rroba, dyshekë apo krevate që i nxjerrin jashtë përdorimi brenda disa muajve. Vetëm për pampers kjo familje harxhon 30 mijë lekë të reja në muaj, nga 47 mijë lekë që merr në total për paaftësinë e dy fëmijëve dhe kujdestarinë.

Të na kishin hequr të paktën lekët e pampersit…”, u shpreh Avdi Metalla.

Prindër të katër fëmijëve, nga të cilët dy me probleme të rënda të shëndetit mendor, ata edhe gjumin e bëjnë me turne, pasi njëri duhet të qëndrojë patjetër zgjuar dhe të ruajë fëmijët. Djali, shpesh herë çohet nga krevati dhe tenton të mbysë të motrën. Në disa raste ka nxjerrë drutë nga soba dhe u ka vënë flakën batanijeve, duke rrezikuar të djegë gjithë shtëpinë.

Njëherë kishim lënë sobën ndezur, ai i merr drutë dhe kishin marrë flakë batanijet”, tha Avdi Metalla.

Në këtë shtëpi nuk ka as sobë elektrike, as lavatriçe, por çdo gjë e bëjnë me dru zjarri, pasi familja e ka të pamundur të përballojë kostot. Pavarësisht varfërisë së skajshme, kjo familje nuk është e përjashtuar nga pagesa e energjisë elektrike. Madje kur nisi reforma e energjisë elektrike në 2014-ën, familja u detyrua të marrë 3 mln lekë borxh për të shlyer pagesat e prapambetura.

Kryefamiljari rrëfen se pushteti lokal i është gjendur pranë me çfarë ka mundur, por pagesa që ato marrin është e pamjaftueshme për të mbajtur frymën gjallë e jo më për tu ofruar një shërbim të mirë dy fëmijëve të sëmurë.

Minimalistë në kërkesat e tyre ato apelojnë që së paku tu rregullojnë banjën, pasi është krejtësisht e rrënuar, ndërsa fëmijët kanë nevojë të lahen disa herë në ditë dhe në të shumtën e rasteve i lajnë me ujë të ftohtë. Për ta zgjidhja ideale do të ishte që pushteti lokal tu siguronte një shtëpi me qira.

Për ne një shtëpi me qira do të ishte mirë afër spitalit, sepse i çoj shpesh në spital. Më duhet të marr taksi, ajo kushton”, u shpeh Avdiu.

Pavarësisht kësaj gjendje të rënduar Avdi dhe Vere Metalla, nuk pranojnë të heqin dorë nga përkujdesi ndaj fëmijëve të tyre. Së paku deri sa ato të jenë gjallë.

“Sa të jem unë gjallë nuk i lë kalamjtë, kur të vdes unë ndoshta…më kanë thënë ato të spitalit që ti mbajnë ato, por unë si lë dot”, tha Avdi Metalla.

Top Channel