Referuar nenit 5 të ligjit për kujdesin social, individët ose familjet që nuk kanë mjetet minimale të jetesës, për shkak të kushteve personale dhe sociale duhet të përfitojnë nga skemat mbështetëse të shërbimeve sociale.
Por kjo familje siç shihet nuk ka përfituar asgjë, madje është nëpërkëmbur. Siç e shikoni kjo është leja e ndërtimit të shtëpisë, e cila u shpall e pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit.
Nga 26 mln lekë që iu caktuan për ndërtimin e shtëpisë, kjo familje ka marrë vetëm 80 mijë lekë. Një shumë e papërfillshme që familja e mjerë i shfrytëzoi për të bërë një pus. Fondi që familja duhet të merrte për rindërtim, iu dogj pasi nuk kishin mundësi për të nxjerrë lejen e ndërtimit.
Kjo, ngre pikëpyetje të forta se si një familje në kushte të tilla ekstreme varfërie dhe me të sëmurë të shëndetit mendor nuk është ndihmuar. Njëjtë si familja Vidhani në Elbasan, mijëra familje në mbarë vendin janë lënë vetëm në betejën me sëmundjen më të egër të shekullit: atë të shëndetit mendor.
Pas viteve 2000 shëndeti mendor iu nënshtrua një procesi de-institucionalizimi, që kishte si qëllim reduktimin e spitaleve psikiatrike me shtretër. Procesi kishte qëllim ngritjen e një sistemi kapilar duke filluar nga mjeku i familjes, qendrat komunitare të shëndetit mendor dhe shtëpitë pritëse. Në këtë mënyrë personat me probleme të shëndetit mendor të mos përfundonin në spital por të qëndronin pranë familjes.
“Avokati i popullit” i cili është i vetmi institucion që nëpërmjet mekanizmit të parandalimit të torturës monitoron institucionet e mbyllura ku trajtohen personat me probleme të shëndetit mendor, pra spitalet psikiatrike dhe burgjet, thotë se reforma ka ecur vetëm në letër. Sipas këtij institucioni, realiteti është krejt tjetër.
“Deinsticionalizim pa buxhet dhe pa kapacitete nuk mund të kryhet. Nuk mundet që ky proces të mbetet vetëm në letër. Krijimi i qendrave komunitare nuk ka ecur as sipas planeve dhe as sipas asaj që ishte në letër. Pra përmirësimi i shërbimeve ka qenë aq i vogël saqë qartësisht nuk përballon nevojat e popullatës në lidhje me këtë çështje”, u shpreh avokatja e popullit Erinda Ballanca.
Hallkat nuk kanë funksionuar si duhet edhe në analizën që bën psikiatri Neli Demi, një nga njohësit më të mirë të politikave të shëndetit mendor. Sipas tij diku-diku reforma ka shënuar përparime, por jo me ritmin që ka ecur kjo sëmundje.
“Janë bërë hapa shumë të mirë në këtë drejtim, por ndonjëherë e ngadalësojmë hapin ose ndalojmë fare dhe pastaj e marrim atë, mund të vrapojmë për 100 metra sprint dhe pastaj e rimarrim përsëri. Nuk ka konsistencë në bërjen e gjërave”, tha Neli Demi.
Shëndeti mendor konsiderohet pandemia e re në të gjithë botën. Sipas Organizatës Botërore të shëndetit 10-20% e fëmijëve dhe adoleshentëve përjetojnë probleme të shëndetit mendor. Gjysma e problemeve të shëndetit mendor fillojnë në moshën 14-vjeçare, por shumica e rasteve mbeten të padiagnostikuara dhe të patrajtuara.
Top Channel