Një makinë “Range Rover”  u grabit mbrëmjen e kaluar në Vlorë,  në zonën e Lungomares.

Pronarja e makinës e la të ndezur me bllokazh për të shkuar në market, por kjo vonesë pak minutëshe u shfrytëzua nga 35-vjeçari, Fabjon Goxhaj, i cili e grabiti dhe u nis drejt Fierit. Aventura e tij zgjati pak minuta pasi policia iu vu në ndjekje dhe e arrestoi pranë fshatit Panaja.

Por ky episod nuk është një rast i izoluar. Vjedhja e makinave kryesisht luksoze është një fenomen në vend. Vitin e kaluar në të gjithë vendin janë vjedhur 119 makina ndërsa në 4 muajt e parë të këtij viti janë vjedhur 24 të tilla.

Në fokus të hajdutëve janë makina të viteve të fundit që kushtojnë mijëra euro. Numrin më të lartë të makinave të vjedhura e ka Tirana. Disa prej tyre shkojnë në servise ku çmontohen e shiten me pjesë, e të tjera vihen në dispozicion të grupeve kriminale që kryejnë vepra të ndryshme.

Pothuajse pas çdo atentati mafioz gjendet një makinë luksoze e djegur që rezulton e vjedhur apo e futur ilegalisht në vendin tonë. Këtyre makinave u mbivendosen targa po të vjedhura. Ngjarjet e njëpasnjëshme kriminale në vend kanë nxjerrë në pah ngritjen e një strukture të vërtetë e cila mundëson mjetet me të cilat grupet kriminale kryejnë vrasjet. Ato kryejnë vjedhjet dhe i mbajnë mjetet në garazhe për muaj e vite derisa u del blerësi që pasi i përdor i djeg.

Top Channel