Ekonomisë iu shtuan më shumë biznese të reja në vitin 2022.

Sipas INSTAT, numri i ndërmarrjeve ekonomike të regjistruara u rrit me 5.6%, ndërsa më e fortë ishte rritja për fermerët e regjistruar me 34.1%.

Tashmë janë 84 369 fermerë të regjistruar, rreth 22 mijë më shumë se një vit më parë. Skemat e qeverisë për rimbursimin e naftës dhe subvencionimin e sipërfaqeve të mbjella me grurë kanë sjellë edhe formalizimin e sektorit.

Ndërkohë 125 222 janë ndërmarrje ekonomike, ku nuk përfshihen fermerët. Në vitin që lamë pas numrin më të lartë të regjistrimeve e pati sektori i shërbimeve ndjekur nga tregtia, ndërsa në vend të tretë biznesit e akomodimit dhe shërbimit ushqimor.

Sa i përket bizneseve që janë me pronar të huaj ato kanë pësuar një rënie në 2022-in, pasi zënë vetëm 5.3% të ndërmarrjeve gjithsej nga 5.6% në 2021-in. 43% e tyre zotërohen nga pronarë me shtetësi italiane, ndjekur nga ata me shtetësi greke.

Struktura e ekonomisë sonë vijon të dominohet nga tregtia dhe shërbimet, ndërsa dy sektorët kanë numrin më të lartë të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërmarrjet me aktivitet tregtar numërojnë 26,5% ndaj totalit të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2022. Aktiviteti tregtar realizon edhe xhiron vjetore më të madhe në ekonomi, me 35,8%. Por ky ndikim po vjen më rënie, ndërsa ndërtimi dhe akomodimi po zënë më shumë vend në ekonomi.

Ndërkohë sa i përket madhësisë së ndërmarrjeve, struktura vijon të dominohet nga bizneset familjare me 1-4 të punësuar. Kjo peshë është rritur edhe më tej gjatë 2022-it, ndërsa është zvogëluar numri i ndërmarrjeve me mbi 50 të punësuar.

1 në 3 biznese sipas INSTAT zotërohen nga gratë, ndërsa përqindja e zotërimit nga to nuk ka ndryshuar nga 2021.

Sektori privat në vend numëron 730 450 të punësuar, ndërsa janë 29 687 më shumë të punësuar se në vitin 2021, me normën e papunësisë në nivele të ulëta historike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA