Një 29-vjeçar i cili po përpiqej të ndihmonte një grua e cila po abuzohej nga i dashuri në një kafene në Stamboll, u plagos në vesh.
Burri që po sulmonte të dashurën i kafshoi veshin Eyp Celik, i cili u fut në mes për të ndihmuar gruan. Një pulëbardhë e uritur aty pranë ka marrë pjesën e veshit të kafshuar dhe e ka ngrënë.
Tashmë 29-vjeçari turk e ka hedhur në gjyq burrin ‘dhunues’, me akuzën se e ka lënë me plagë në trup përgjithmonë. Avokati mbrojtës i burrit ka fajësuar pulëbardhën për lëndimet e Celikut, duke pretenduar se kirurgët mund ta kishin ribashkuar atë nëse zogu nuk do e kishte gëlltitur.
Incidenti ka ndodhur në vitin 2016 kur Celik ndërhyri në një sherr mes Danyal Tolgahan Alparslan dhe të dashurës së tij.
Alparslan ka pranuar se i kafshoi veshin Celikut në polici, por pretendon se e bëri për vetëmbrojtje.
Ai tha: Ne ishim ulur në kafe me të dashurën time në momentin e ngjarjes dhe mes nesh pati një debat. Ne u larguam pak nga kafeneja që të mos shqetësonim njerëzit në kafene. Ne vazhduam të debatonim verbalisht, ndërsa Eyup Celik, të cilin nuk e njihja më parë, po na shikonte me akullore në dorë.
Alparslan tha se ai u përball me Celik, duke e pyetur nëse diçka nuk shkonte, përpara se të shpërthente sherri.
“Më tha ‘mos më ngatërro me vajzën pranë’ dhe më shtyu duke më mbajtur gjoksin. Gjatë përleshjes mu gris këmisha dhe kemi rënë të dy përtokë. Ai filloi të më shtypte fytyrën me kokën e tij, kështu që unë e kafshova për ta hequr qafe”, tha Alparslan.
Alparslan tha se më vonë e kuptoi se i kishte kafshuar veshin. Ai gjithashtu pretendoi se njerëzit që mbështesnin Çelikun hodhën mbi të karrige dhe pantofla.
Që atëherë të dyja palët kanë paraqitur ankesa kundër njëra-tjetrës, një padi u ngrit kundër Eyup Celik për plagosje të thjeshtë e ndjekur nga një kundërpadi kundër Alpaslan Seyrek për “dëmtim me një mbresë të përhershme në fytyrë”.
Rasti është në vazhdim dhe hetime të mëtejshme po kryhen.
Top Channel