Liljana Kondakçi, këngëtarja e çmuar e viteve ’70, pas 56 vitesh muzikë live, vjen në një intervistë ekskluzive në emisionin “S’e Luan Topi”.
Krahas emocioneve të ngjitjes për herë të parë në skenë, Kondakçi ka folur edhe për miqtë dhe rivalët në skenë. Ndër këto momente artistja e madhe tregon se si harroi njëherë vargjet e këngës së Luan Zhegut dhe ai si baterist, u frikësua aq shumë sa i ranë shkopinjtë e baterisë nga dora.
“Duke qenë se Luani ka shumë humor, kur shkonim zakonisht nëpër turne, unë e ngacmoja. Edhe i madhi Vasillaq Vangjeli, aktor i shkëlqyer, e ngacmonte shumë. Luani është shumë serioz në aparencë, por ka shumë humor, i mrekullueshëm. Qe një moment kur unë isha lartë në skenë, orkestra ishte poshtë në Teatrin e Estradës dhe Luani i binte baterisë. Nuk kishte dalë akoma si këngëtar dhe unë këndoja këngët e tij.
Në një moment unë harrova fjalën, e ngatërrova dhe për të dalë nga situata seç thash diçka tjetër. Luani që e dinte tekstin tani, i ngelën shkopinjtë në dorë. Hiç unë, çfarë të bëja. Serioze, e bukur kështu, kaloi situata, duartrokitje salla.
Mbasi mbaroj shfaqa, më erdhi dhe më tha: – Uaa si e kalove atë moment?
“Po e kalova pra tani, a jemi apo s’jemi artist?”- i thashë.
“Bravo, bravo”, më tha, dhe më pas pastaj filloi të këndonte edhe ai, të kompozonte edhe më bukur. Edhe sa herë që bënte nonjë këngë për në festival merrte edhe mendimin tim sepse ishim në punë bashkë. Te kënga “Vajzë moj, lule moj”, i them Luanit: – Ti do marrësh vendin e parë.
Joo, më thoshte. I thash, “ja të shohim po s’mori kjo këngë vendin e parë”. Dhe kështu ndodhi, mori vendin e parë. E keni parasysh “Vajzë moj, lule moj”? “Pikoi vesa e mëngjesit, hapi djelli synë e zjarrtë…”. Këngë shumë e bukur”- tha artistja Liljana Kondakçi.
Top Channel